Shkruan: Afrim Kasolli
Te gjithëve na kujtohet se si kur Gjermania pat nënshkruar marrëveshje dhe partneritet strategjik me Serbinë, me qëllim shfrytëzimin e pasurive minerale sikur litumi që gjendet në luginën Jadar, i madh e i vogël nga Qeveria e Kosovës e filluan denoncimin moral të Qeverisë gjermane, atëbotë të drejtuar nga Kancelari Olaf Scholz, se me këtë investim janë duke e forcuar ekonomikisht një regjim autokratik, sikur se ai i Aleksandër Vuçiq-it. Sipas diskursit zyrtar të pushtetit në Kosovë, shteti gjerman tashme e kishte humbur busullen morale dhe se në këtë mënyrë po i sakrifikon vlerat demokratike e etike për interesa ekonomike e transaksionale.
Ndaj këtyre sulmeve pat reaguar edhe ish i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Mario Sarrazin, në një intervistë për mediumin Koha Vizion. Diplomati gjerman kishte pohuar “se është e leverdishme shumë për Evropën ta ketë autonominë e vet në të ardhmen, nga fuqitë siç është Kina, si dhe largimi nga lëndët djegëse fosile, pra nga Rusia. Por, po ashtu serbët kanë nevojë që ta kenë një partner të besueshëm dhe të mirë që do të sillte përfitime zinxhirore me vlerë për shtetin e vet dhe shpresojnë se Gjermania mund të ndihmojë që efekti mjedisor mund të behët në mënyrë pozitive” Kështu , përshtypja e krijuar në Kosovë, sipas tij “ se Gjermania ka nevojë shumë për Serbinë është gabim.
Përkundrazi, e dyta ka interes shumë më shumë nga e para”. Po ashtu, këtu nuk duhet harruar faktin se ajo marrëveshje, ka qenë pjesë strategjisë së diplomacisë së lëndëve të para që Komisioni Evropian ka nënshkruar edhe me vende tjera. Disa nga to janë demokratike e disa jo. Shumë nga këto janë edhe shtete të Afrikës, të njohura më shpërfillje të standardeve demokratike. Mirëpo, për shkak të konkurrencës së ashpër për këto minerale, Perëndimi nuk e ka pasur luksin të pres deri sa ato të demokratizohen. Megjithatë, të dhënat e fundit nga Dogana e Kosovës si nga ASK flasin si për hipokrizinë e pushtetit, ashtu për dëmet e që ia ka shkaktuar pozicionit diplomatik të shtetit të Kosovës me atë formë të ligjërimit. E para vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti importi i mallrave nga Serbia është shtuar në 118 për qind. Natyrisht, në këtë drejtim zyrtarët e pushtetit mund të arsyetohen se ky disbalanc tregtar është pasoje e ekonomisë së tregut dhe se këtu nuk ka asgjë në dorë Qeveria e Kosovës.
Ndonëse, ekzistojnë masa ta shumta që shtetet mund të ndërmarrin për ta mbrojtur edhe veten nga invazione të tilla tregtare. Madje ekonomistë të ndryshëm kanë vënë në pah se kjo diference ka ardhur edhe si pasoje e vendimeve të gabuara pikërisht të pushtetit në fjalë. Por përpos shumë mallrave bazë tw konsumit, të dhënat e sipër cekura tregojnë për një varësi gjithnjë e me të madhe energjetike të Kosovës nga Serbia.
Dhe atë në një kohë kur kompanitë vendore po detyrohen të dalin në tregun e derregulluar, masë kjo që vetëm do t’i dëmtonte ekstremisht të parat si dhe do ta forconte ekonomikisht gjithnjë e më shumë ekonominë e shtetit serb. Përfundimisht duke aplikuar atë që dikur e kritikonte shtetin gjerman si favorizim i regjimit të Aleksandër Vuqic-it, ky pushtet përpos dëmit ekonomik të vendit, po ashtu për shkak të kësaj papërgjegjësie diplomatike i ka rrezikuar edhe interesat shtetërore duke e fituar “armiqësinë” publike të një shteti si Gjermania.