Shkruan: Afrim Kasolli
Në politikë ka rëndësi inisiaitiva. Aksioni për t’iu mos nënshtruar presioneve të çastit dhe veprimeve ad-hoc. Të gjithëve na kujtohet se si pak ditë, pas përfundimit të zgjedhjeve, kryetari i Partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, kishte deklaruar se është i gatshëm të ulet edhe me Albin Kurtin në tavolinë për të diskutuar modalitet e ndonjë marrëveshje politike me qëllim ndërtimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Sepse sipas tij vullneti i qytetarëve të Kosovës e kishte imponuar këtë realitet. Atëbotë, kjo gatishmëri e tij u quajt si sakrilegj, si tradhti ndaj kauzës idilike opozitare dhe kapitullim para Kurtit.
Megjithatë, kryetari i kësaj partie që nga ajo kohë nuk kishte lëvizur nga ky pozicion fillestar. Ai i mëshonte tezës së nuk mund të ketë institucione të reja pa një marrëveshje paraprake politike. Në funksion të kësaj agjende edhe u takua disa herë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Sipas spekulimeve mediale, lideri i Nismës ia kishte kërkuar atij të Vetëvendosjes, pozitën e Kryeparlamentarit si parakusht për ndonjë akord politik.
Kurse Albin Kuti thuhet se ia ka ofruar të Fatmir Limajt dy ministri në këmbim të votave të tre deputetetëve të Nismës. E tëra kjo sipas doktrinës së Kurtit, sepse themelimi i Kuvendit është detyrë e të gjithë deputeteve të këtij institucioni dhe se partitë tjera kanë obligim ta votojnë Kryeparlamentarin e nominuar nga partia fituese e zgjedhjeve.
Disa përpjekje të Lëvizjes Vetëvendosje dështuan, sepse ajo nuk i kishte numrat si e vetme, si dhe për shkak të një kriteri paushall të PDK-së dhe deri në një masë të AAK-së, se nuk do ta votonin asnjë kandidat të Vetëvendosjes për pozitën e kryetarit të Kuvendit që kishte pasur poste ministrore në kabinetin e Qeverisë Kurti 2.
Në fund, Albin Kurti veproi sipas shijes së tyre meskine politike duke ua ofruar emrin e Dimal Bashës. Pas një trullosje fillestare dhe vetëm nga një pozicion reaktiv pjesa me madhe e deputetëve të këtyre partive politike u pajtuan me formulën magjike të Kurtit. Dhe në fund ato ndikuan që me votat e tyre ta legalizojnë në krye të njërit prej institucioneve kryesore shtetërore një Kryeparlamentar që kishte mbrojtur teza pseudo- shkencore të ngjashme me ato që propaganda serbe dhe ruse i kishte mbrojtur ndër vite kundër UCK-së, për ta sulmuar shtetin e Kosovës si të ndërtuar mbi një “krim fondator” e jo mbi aspiratat sublime për liri.
Të tronditura nga ky veprim skandaloz eksponentë sidomos të PDK-së filluan të arsyetohen se në këtë mënyrë vetëm kanë dashur t’i tregojnë opinionit se çfarë personalitete e gëzojnë bekimin e Kurtit. Justifikim më banal vështirë të ketë. E vërteta e kobshme është se ato reaguan sipas skenarit të Lëvizjes Vetëvendosje. E para u pajtuan më qëndrimin fillestar të saj, se e kanë obligim t’ia votojnë Kryeparlamentarin. Dhe e dyta Albin Kurti ia doli që t’i inkrimojë edhe ato në procesin e legalizimit në krye të shtetit të botëkuptimeve anti-historike e anti-shtetërore. E tëra kjo sepse të dy këto parti politike ishin pushtuar nga ankthi se po humbnin terren politik nga akuzuat e Vetëvendosjes se janë përgjegjëse për bllokadën shtetërore.
Sidoqoftë në fund ato as nuk i ofruan shtetit zhbllokimin dhe u bënë u bënë pjesë e një bashkëfajësie kombëtare.
Ndërkaq, në tërë këtë zallamahi, lideri i NISMA- qëndroi anash duke e pritur bilancin tragji-komik ku e katandisën vetën dy parti që kishin trashëgimi nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por që me votën e tyre u pozicionuan kundër saj duke rënë në grackën e Kurtit. /TV Arbëria