Shkruan: Afrim Kasolli
Që kur u bë publik lajmi se Qeveria e Kosovës ka nisur planet për hapjen e Urës së Ibrit, që e ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore dhe jugore, edhe për qarkullimin e automjeteve, shumë diplomatë perëndimorë e kundërshtuan këtë nismë.
Ata nuk ishin kundër këtij veprimi, por kërkonin që kjo të shtyhej për një kohë tjetër. Dhe se mbronin tezën së një gjë e tillë nuk mund të bëhet në mënyrë të një anshme dhe jashtë procesit të dialogut që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky refuzim ndërkombëtar ndaj ndërrimit të statusit të kësaj ure, ndër të tjera, është i lidhur pikërisht edhe me status quo-n, ku është futur Marrëveshja bazike e Brukselit dhe aneksi i zbatimit të dakorduar në Ohër, sipas planit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Qëndrimin më të hapur kundër kësaj iniciative të re të Kosovës e artikuloi Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, pas takimit me Kryeministrin Kurti. Para mediave, ai nën emrin e vendeve te QUINT-it dhe KFOR-it, deklaroi se ata njëzëri i kundërshtojnë këto plane. Kurse pak ditë më vonë në një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, pohoi se ekziston një rrezik real lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë”.
Mirëpo, zyrtarë të pushtetit në Kosovë gjatë kësaj kohe, e vazhdonin sfilatën politike mbi këtë temë. Ministra të kabinetit qeveritar, deputetë etj, defilonin ne këtë pistë të re të modës publike. Teprica e minatorëve në raport me xehet e pakta nën tokësore, e shndërroi këtë urë në një minierë të re ari, për përftime politike.
I madh e i vogël, pohonin se bashkësia ndërkombëtare nuk ka të drejtë në këtë kundërshtim. Se hapja e saj është punë e kryer. Mjafton të bëhet testimi teknik i saj. Dhe me në fund ndarja mbi 20 vjeçare e këtij qyteti ikonik të Kosovës po merr fund. E deri tek vlerësimet se Ambasadorit amerikan i takon vetëm vendi në ambasadë, dhe jo të prononcohet për urat e Kosovës.
Mirëpo, ky entuziazëm u zbeh befas. Këto dy ditët e fundit edhe pse ura sipas vlerësimit të ekspertëve është e qëndrueshme në aspektin teknik, tashmë nuk ka datë se kur do të hapet. Kurse kryeministri Kurti, deklaroi se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, lidhur më hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë.
Përfundimisht, Qeveria e Kosovës e vendosi vetën dhe shtetin përball dy opsioneve, që nuk janë interes strategjik shtetëror, ose dorëzim të sovranitet të vendit në prag të kësaj ure, ose ringociom i fatit të saj në Bruksel. Sepse mundësitë tjera i shpërdoroi nga dëshira naive për fitore të brendshme përfundimtare elektorale.