Shkruan: Afrim Kasolli
Fitorja e befasishme e Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos në zgjedhjet e fundit parlamentare më një përqindje të pa precedentë në historinë zgjedhjeve në Kosovë, shpeshherë është parë si diçka e domosdoshme, ngase partitë e tjera të “establishmentit” për shkak të qeverisjes së gjatë, aferave të shumta korruptive me kalimin e kohës e konsumuan kapitalin e tyre politik, moral, prandaj nuk kishte alternativë tjetër, pos provimit të një rruge të re politike.
Në këtë drejtim Vetëvendosjes nuk i duhej tashmë asgjë tjetër. Mjaftonte fakti se ajo ishte aty. Prezente. E vetmja detyrë e saj ishte kapja e pushtetit tashmë të shkapërderdhur dhe fragmentarizuar në një dorë të vetme. Nuk ka dyshim, se këto prirje politike e kanë shtruar këtë kthesë spektatakulare politike. Mirëpo, nuk janë të vetmet. Dhe këtu nuk duhet përjashtuar as lojërat taktike të ish-liderëve politikë që për përfitime afatshkurtra ditore për shkak të rivalitetit ndaj njëri tjetrit, lojëra këto që kthyen në disfatë strategjike për partitë e tyre.
Origjina e këtij ndryshimi mund të gjendet në vitin 2013 në zgjedhjet lokale të asaj kohe. Deri në atë moment, Lëvizja Vetëvendosje, thuajse nuk ishte parë si një opsion që mund ta drejtonte ndonjë qendër të pushtetit si në nivel lokal ashtu edhe qendror. Mirëpo, atëbotë Partia Demokratike e Kosovës, me qëllim që të goditej Isa Mustafa në Komunën e Prishtinës, në balotazh angazhua në mbështetje të kandidatit të kësaj partie, Shpend Ahmeti për ta fituar pozitën e te parit të Prishtinës. Arsyetimi sot mbase mund të jetë se me këtë lëvizje kjo parti ka synuar që po ashtu ta godas edhe Albin Kurtin, duke transmetuar mesazhin se vetëm krahu më liberal i partisë mund të ketë të ardhme politike. Fenomen ky që ka ndodhur jo vetëm në Kosovë por edhe shtetet tjera, ku fitimi i zgjedhjeve në kryeqytet ka shërbyer si trampolinë për ta marr edhe drejtimin e partisë. Mirëpo, dallimi është se Lëvizja Vetëvendosje si formacion dallon rrënjësisht nga formacionet tradicionale partiake, çfarë e bënë të pa efektshme këtë skemë. Kështu me këtë lëvizje PDK, e hapi rrugën e pranimit publik të Vetëvendosjes. Pra tashmë ajo do të mund të qeveriste dhe ta fitonte pushtetin. Nuk ishte më një subjekt i “ostracizuar” politik
Moment tjetër në forcimin e këtij imazhi ishte ajo që pasoi zgjedhjet nacionale të vitit 2014. Partitë që i kishin humbur ato, LDK-ja, AAK dhe Nisma, u bënë bashkë fillimisht për ta sfiduar fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës. Isa Muftafa në shenjë hakmarrje për ta atë që i kishte ndodhur në Prishtinë para gjashtë muajve, Ramush Haradinaj nga dëshira e papërmbajtur për t’u bërë edhe një herë kryeministër, dhe Fatmir Limaj, që sapo ishte ndarë nga partia mëmë luftonin me çdo kusht për ta mbajtur larg pushtetin PDK-në. Më qëllim që të përçohej mesazhi se kjo parti nuk kishte partner në pjesën shqiptare dhe se fatin e saj të ardhshëm do ta shoqëronte vetmia, atëherë tri partitë shpërmendura i bashkuan forcat edhe me Vetëvendosjen. Mirëpo, duke qenë se kjo “kryqëzatë politike”ishte ndërtuar në kundërshtim me procedurat kushtetuese të vendit për formimin e pushtetit, atëherë Isa Musfta, i braktisi befasisht “aleatët e idealit” për t’u bërë bashkë me PDK-në, në këmbim të pozitës së kryeministrit. Tri partitë tjera të mbetura larg tortës së pushtetit e vazhduan luftën opozitare, duke shfrytëzuar si pretekst kundërshtimin e temës së demarkacionit më Malin e Zi dhe Marrëveshjen për parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Shoqëria u polarizua deri në ekstrem nga protestat masive, gazi lotsjellës në Kuvend, sulmet me granata ndaj këtij të fundit etj. Shteti thuajse ishte në atë kohë në prag të luftës civile. Ramush Haradinaj dhe Fatmri Limaj e shndërruan vetën “armë politike” të Albin Kurtit.
Dhe kur në vitin 2017 këta fundit u bënë pjesë e koalicionit PAN, duke e braktisur Albin Kurtin, vetëm sa i shërbyen kultit të tij publik si i vetmi lider që i qëndron besnik kauzave politike. Ndërkohë, ajo që ndodhi me rrëzimin e qeverisë në kohën e pandemisë dihet nga të gjithë ne.
Në këtë kontekst, secili prej tyre, herë më shumë e herë me pak ndikuan në ushqimin e elektoratit të tyre që Albin Kurti mund të ishte partneri i tyre qeverisës. Prandaj, përpjekja për ta mbajtur larg pushtetit, me pretendimin se është populist dhe ka qëndrime kundër shtetit të Kosovës, i shndërronte pikërisht ata në hipokritë para elektoratit të tyre. Çfarë edhe ndikoi që një pjesë e këtij fundit të zhvendoset në drejtim të Albin Kurtit duke ia shtruar kështu atij dafinat e fitores politike. Se a është Albin Kurti, populist dhe i indoktrinuar me ide ekstreme politike, kjo është tjetër temë. Por në fund të fundit, janë ato gabime strategjike për përfitime taktike të liderëve paraprak që e normalizuan imazhin e tij politik. /TV Arbëria