Zhvillimi i trurit të fëmijës varet nga kujdesi dhe dashuria që nëna i kushton, ka konstatuar studimi i Universitetit amerikan Washington.
Në bazë të skanimeve të trurit të trevjeçarëve shkencëtarët kanë konstatuar që truri i fëmijëve ndaj të cilëve prindërit janë kujdesur vazhdimisht është më i madh se truri i fëmijëve të cilët janë neglizhuar nga prindërit.
Rritja e qelizave trunore varet nga sasia e dashurisë që merr fëmija, ka vërtetuar studimi.
Mënyra se si veprojnë prindërit me fëmijën deri në vitin e dytë të jetës ndikon direkt në atë se si do të funksionojë truri i tij në moshë të rritur, transmeton ksp. Pasojat e neglizhimit dhe abuzimit janë inteligjenca më e ulët, pamundësia për të ndier dhembshuri, prirja kriminale dhe varësia nga drogat.
“Prindërit duhet ta mendojnë mirë mënyrën se si sillen me fëmijën, sepse kjo ndikon në zhvillimin e përgjithshëm të tyre, madje dhe në madhësinë e trurit. Volumi i reduktuar i trurit lidhet me sëmundjen e Alzheimerit, depresionin dhe skizofreninë”, ka theksuar udhëheqësja e hulumtimit, Joan L. Luby.
Hulumtimet e mëhershme kanë vërtetuar që dashuria e nënës ndikon në mënyrë pozitive në trurin e fëmijës, veçanërisht në hipokampus, pjesën e trurit përgjegjës për mësim, kujtesë dhe përballjen me stresin.
/TV Arbëria