Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si mund të rrezikohet ekzistenca e mëtutjeshme e një partie

Si mund të rrezikohet ekzistenca e mëtutjeshme e një partie

Blerim Canaj ka deklaruar se historia politike e Europës dëshmon qartë se edhe partitë më të mëdha dhe më me ndikim nuk janë të përjetshme dhe se shumica e tyre nuk janë rrëzuar nga faktorë të jashtëm, por nga dështime të brendshme.

Sipas Canajt, shembujt nga Europa janë të shumtë. Ai ka përmendur Democrazia Cristiana në Itali, e cila për gati 50 vjet qeverisi vendin, ndërtoi republikën pas Luftës së Dytë Botërore dhe e ankoroi Italinë në BE dhe NATO, por u shpërbë si pasojë e korrupsionit, përçarjeve të brendshme dhe mungesës së një lidershipi reformues në momentin kritik.

Canaj ka kujtuar edhe rënien e Partisë Liberale britanike, e cila për më shumë se një shekull ishte forcë dominuese politike dhe ndërtuese e shtetit liberal modern, por që gradualisht humbi mbështetjen për shkak të ndarjeve të brendshme, mungesës së lidershipit të fortë dhe rritjes së Partisë Laburiste.

Në Spanjë, sipas tij, Unión de Centro Democrático (UCD), ndonëse udhëhoqi tranzicionin drejt demokracisë dhe hartoi Kushtetutën e vitit 1978, u shpërbë brenda pak vitesh për shkak të luftërave të brendshme për pushtet dhe fragmentimit ideologjik.

Ai ka përmendur gjithashtu edhe PASOK-un në Greqi, duke thënë se rënia e saj nuk ishte vetëm rezultat i krizës ekonomike, por edhe i krizës së lidershipit, humbjes së besueshmërisë dhe paaftësisë për t’u shkëputur nga elitat e vjetra politike.

Sipas Canajt, edhe SFIO në Francë, që për dekada ishte shtylla e së majtës franceze, u shua pas përçarjeve ideologjike dhe dështimit për të ndërtuar një lidership të qëndrueshëm gjatë tranzicionit politik. Ai ka përmendur edhe rastin e Občanské Fórum të Václav Havelit, që pas udhëheqjes së Revolucionit të Kadifenjtë u shpërbë për shkak të mungesës së strukturës partiake dhe konflikteve të brendshme.

Canaj ka theksuar se këto parti nuk u rrëzuan sepse nuk kishin bërë histori, por për shkak të korrupsionit, shkëputjes nga realiteti shoqëror, krizave ekonomike dhe, mbi të gjitha, për shkak të vendosjes së lidershipit të gabuar, jo mbi bazë meritokracie, por në interes të grupeve të caktuara brenda partive.

Sipas tij, historia u jep partive legjitimitet vetëm përkohësisht dhe se në demokraci e ardhmja duhet fituar çdo ditë. Ai ka theksuar se shumë parti nuk bien nga presioni i jashtëm, por rrëzohen nga brenda kur lidershipi dobësohet, përçarjet bëhen normë dhe reformat shtyhen.

Në këtë kontekst, Blerim Canaj ka paralajmëruar se aktualisht dy parti politike në Kosovë janë të rrezikuara që, nëse vazhdojnë me të njëjtën qasje dhe nuk gjejnë lidershipin e duhur, të mbeten vetëm pjesë e historisë. Ai ka shtuar se në një të ardhme të afërt, ky numër mund të rritet edhe në tri parti.

/TV Arbëria