Shkruan: Afrim Kasolli
Janë përmendur disa nga humbjet financiare dhe politike që i ka Kosova për shkak të bllokadës shtetërore, që e ka kapluar vendin pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe veçanërisht që nga certifikimi i tyre.
Fillimisht është potencuar se kjo krizë po i kushton vendit me miliona euro nga pamundësia që të ketë qasje në Planin e Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor të BE-së. Aktualisht, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia i kanë pranuar mjetet e para në vlerë prej 51.66 milionë eurosh. E tëra kjo sepse Kosova nuk ka Kuvend dhe nuk ia ka dalur ta ratifikojë marrëveshjen me BE-në. Ndërkohë, është potencuar se edhe një paketë tjetër financiare është në pritje por që Kosova nuk po mund ta shfrytëzojë. Fjala është për 90 milionë euro të ndara nga Banka Botërore. E të mos flasim për vazhdimin e masave sanksionuese nga BE-ja.
Kuptohet, përpos implikimeve ekonomike, sidomos në një situatë gjithnjë e më të renduar në këtë sferë, kjo amulli pashmangshëm ka edhe pasoja politike. Ajo po shndërrohet në burim të shtuar të zhgënjimit dhe dëshpërimit qytetar në vetë demokracinë si sistem politik, kur kjo fundit fillon të perceptohet se nuk punon për interesat e tyre dhe tjetërsohet nga misioni që ka për qëllim ta jetësojë. Dhe në këtë drejtim analistë të ndryshëm ndërkombëtarë e kanë vënë theksin se njëri nga qëllimet e luftës së heshtur hibride të Kremlinit mbetet inxhineringu mental i shoqërive demokratike që të kenë sa më pak besim në natyrën e këtij regjimi politik. Pra një lloj pushtimi nga brenda i tyre sipas doktrinës së kaosit.
Sidoqoftë, kjo paralizë po ashtu e pengon edhe rehabilitimin ndërkombëtar të shtetit në një kohë kur e ka më lehtë ta bëjë. Pavërisht narracionit optimist të pushteti se pozicioni i Kosovës kurrë nuk ka qenë më i mirë së në këtë kohë, e vërteta është krejt tjetër. Në ndërkohë, kur Serbia është futur në një krizë shoqërore dhe politike për shkak të protestave masive të cilat tashmë po shndërrohen dita ditës në një përplasje të madhe civile, ndërmjet kundërshtarëve dhe mbështetëseve të presidentit Aleksandër Vuciq, atëherë kjo do ishte një situatë ideale për një aktivizim diplomatik në drejtim avancimit të pozicionit të lënduar këto viteve të fundit.
Këtu nuk duhet harruar faktin se njëra nga arsyet (kuptohet jo e tëra) cila shtroi shtratin e përftimeve ndërkombëtare të Serbisë në raport me Kosovën, ishte pikërisht thellimi i konstant i krizës politike në vendin tonë që nga viti 2014 e tutje, duke ndikuar që ajo të shihet nga Perëndimi si një palë që nuk sillet në mënyrë të përgjegjshme në marrëdhëniet ndërkombëtare.