Afrim Kasolli, në një rrëfim për emisionin Përtej Tregimit me Valentina Ahmetin, ka thënë se inspirimin e tij e gjen kudo dhe shkruan kudo që ndodhet.
“Ato vetëvetiu vijnë në mënyrë spontane, duke pirë kafe, duke ecur në rrugë, në orët e vona të mbrëmjes, duke lexuar, duke ecur. Janë vende të ndryshme, por ajo që më ka lënë përshtypje më së shumti si qytet është një qytet në jug të Italisë, Syracuse. Ka qenë një vizitë e orkestruar për qëllime të tjera, por unë e kam shijuar dyfish aty. Do të thotë, kam marrë pjesë në aktivitete për të cilat kam qenë i ngarkuar, por personalisht ia kam rikthyer 2500 vjet pas në kohë, sepse me atë fillon shumëçka në traditën e civilizimit tonë perëndimor.
Është vendi ku për herë të parë është bërë përpjekje që një filozof të përfshihet në politikë, me qëllim që ta rikonstruktojë një sundimtar për ta ndërtuar një qytet ideal,” ka thënë Kasolli.