Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Si i shpëtuan shqiptarët hebrenjtë, ish-ambasadori gjerman tregon për dokumentet që ka parë në arkiva

Si i shpëtuan shqiptarët hebrenjtë, ish-ambasadori gjerman tregon për dokumentet që ka parë në arkiva

6 milionë hebrenj mendohet të kenë shfarosur nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore: Një pakicë e vogël arriti të gjente shpëtim në Shqipëri – ish-ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, shpjegon sfondin.

“Sipas të dhënave nga Shqipëria, në vitin 1937 kishte 191 hebrenj, ndërsa pas Luftës, ishin rreth 2280. Ekziston një listë nga Ministria e Jashtme gjermane me emrat e 85 familjeve hebreje nga Gjermania e atëhershme, ku përfshihej edhe Austria. Një numër i madh vinte edhe nga ish-Jugosllavia, Serbia dhe nga ajo që sot quhet Maqedonia e Veriut, por dhe shumë nga Kosova”, thotë ai.

I pyetur se si ndodhi që hebrenjtë zbuluan Shqipërinë si vend shpëtimi, Borchardt përgjigjet:

“Sipas informacioneve të të birit, Mbreti Ahmet Zog i kishte porositur konsullatat dhe ambasadat qysh në vitin 1938, pas pogromit kundër hebrenjve në të ashtuquajturën Nata e Kristaltë, që të gjithë hebrenve që kërkonin viza në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në Europë t’u jepeshin viza. Në këtë mënyrë mendohet të kenë mbërritur rreth 400 hebrenj në Shqipëri. Por shumica e tyre vijuan udhëtimin e tyre në Palestinë, në SHBA, e deri në Amerikën e Jugut”, shprehet ai.

“E veçanta e Shqipërisë është se nuk ishin vetëm njerëzit që ndihmuan e strehuan hebrenjtë, por edhe qeveria shqiptare, e cila refuzoi t’i dorëzonte nazistëve listat e hebrenjve. Edhe kur italianët kapitulluan, në vjeshtën e vitit 1943, kishte një udhëzim të firmosur nga Ministri i Brendshëm, që kur të vijnë hebrenj nga jashtë, atyre t’u jepen pasaporta shqiptare me emrat që dëshirojnë ata”, shprehet tutje ai.

Ish ambasadori gjerman flet edhe për një shënim të gjetur në Arkivat e Ministrisë së Jashtme gjermane, ku thuhet se, “në shtatorin e vitit 1943, gjatë një takimi mes përfaqësuesve të lartë të Gestapos dhe Ministrisë së Jashmte Gjermane ishte marrë vendimi që Shqipërisë të mos i bëhej presion për deportimin e hebrenjve, sepse shpresonin që Shqipëria të mbetej vend besnik. Por kjo politikë u ndryshua në pranverën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Gjermania do të tërhiqej nga Ballkani. Aty gjermanët filluan t’i kërkonin vetë hebrenjtë në Shqipëri”.

Ai thotë se edhe në Kosovë ka pasur shumë kosovarë që kanë shpëtuar hebrenj.

“Po, në Kosovë historia është krejtësisht ndryshe. Edhe aty ka pasur shumë kosovarë që kanë shpëtuar hebrenj. Kanë qenë serbë, shqiptarë, romë. Një grua rome pati fshehur një fëmijë hebre nga Kosova. Në Manastirin e Letnicës janë strehuar disa fëmijë. Por nga shënimet e ushtarëve të Vermahtit ka dëshmi për dëbimin e më shumë se 1000 hebrenjve nga Kosova. Shumica u deportuan në Bergen-Belsen. Një numër i madh u dëgua në Vjenë. Kishte një kamp në qendër të qytetit të Vjenës që quhej “Kampi i shqiptarëve”. Ato ishin viktima të divizionit Skënderbeu. Ka patur afro 600 deportime nga Kosova. Fati i hebrenjve në Kosovë është hulumtuar pak. Ka disa botime përgjithësuese që janë edhe paksa disi romantizuese kombëtare dhe që supozojnë se hebrenjtë në Kosovë mbroheshin njësoj si në Shqipëri, por kjo nuk është e saj. Por ajo që kemi kuptuar ne, është se numri i shqiptarëve që kanë ndihmuar hebrenjtë është shumë i më i lartë se 78 emrat që ndodhen në Yad Vashem”, shprehet ish ambasadori në një intervistë për DW.

 

 

Themes by WordPress