Shkruan: Afrim Kasolli
Sa herë që flitet për trillet, kapardisjet, paranojat, veset dhe manitë e liderëve politikë, zakonisht si shembull tipik merret veprimtaria e Perandorit romak të Kaligulës, nga viti 37 deri nw vitin 41, pas Krishtit. Ku rast tregon se si një sundimtar absolut në saje të pushtetit që e zotëron, mund ta shpërfill çdo kod, normë dhe standard politik, ligjor dhe moral, në saje të voluntarizmit të tij personal. Ndër historitë më të njohura të ceneve të tij ishte mbetet momenti kur kishte vendosur ta emërojë kalin e tij, Incitatus, si Konsull. Sipas shumë interpretueseve të këtij rrëfimi, në këtë mënyrë, Perandori romak mëtonte të shprehte përbuzjen dhe përçmimin e tij ndaj Senatit Romak. Pra edhe nëse nuk mund ta zhbënte plotësisht vullnetin e këtij trupi të rëndësishëm politik në kuadër të atij regjimi, të paktën mund ta poshtëronte dhe ofendonte atë.
Historia e njerëzimit është e mbushur me shkarje të tilla, kur drejtuesit shtetërorë, liderët politikë, sundimtarët, kanë tentuar t’i shndërrojë vartësit e tyre vetëm në lodra politike. Degjenerime të tilla askush nuk i ka prezantuar më mirë se sa, shkrimtari ameriko-latin Marios Vargas Losa, në veprën e tij të njohur “The Feast of the Goat”. Në këtë roman politik, të ekranizuar si film në vitin 2005, pasqyrohet dominimi i Rafael Leonidas Trujillo–së, diktatorit famëkeq të Republikës Dominikane. Cenet, marrëzitë dhe sjelljet e tij, të lemerisin edhe sot. Ai është një rast tipik i pasojave të pariparueshme psikologjike, morale, shoqërore dhe politike që prodhohen nga varësia absolute ndaj Liderit. Rrethi i tij i ngushtë gradualisht transformohet në instrument për apetitet e tij.
Fenomene të tilla, veçanërisht në demokracitë e pakonsoliduara, shfaqen edhe sot, megjithëse nuk mund të themi në këto përmasa brutale. Sepse nuk janë më ato rrethana. Variante të zbutura të këtyre shpërfytyrimeve deri më tani janë hasur edhe në partitë tona politike. Drejtuesit e subjekteve politike ia ofrojnë shoqërisë atë lloj kuadri, jo për shkak të cilësive politike të tyre, por sepse në këtë mënyrë e kalkulojnë se e kanë më të lehtë ta mbajnë të pa cenuar pushtetin. Shndërrimin e jetës politike vetëm në dekor dhe simulim të demokracisë.
Shembull tipik i kësaj fryme mund të merren edhe disa nga emrat për kandidat në listat e partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit. Ato janë të mbushura me “eunukë politikë” që nuk janë të dalluar për asnjë qëndrim dhe kauza paraprake politike. Thjesht figura anonime, ose ata që janë të njohur janë katapultuar kryesisht nga bota e spektaklit. Kjo ofertë nuk është e rastësishme. Në mënyrë të tërthortë drejtuesit e partive politike, i kanë ofenduar qytetarët e Kosovës duke u thënë atyre, se pasi nuk mund ta zhbëjmë të drejtën tuaj për zgjedhje, atëherë kjo është ajo që e meritoni pasi i toleroni këto sjellje. Prandaj, jeni të detyruar të zgjidhni në mes të së njëjtës gjellë, por me garniturë të ndryshme. Kjo edhe është arsyeja që qytetarët e Kosovës aktualisht ndodhen në mes ta pamundësive të ndryshimit. /TV Arbëria