Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë një tubimi dje në Frankfurt të Gjermanisë me pjesëtarë të mërgatës që jetojnë në Gjermani, Kryeministri Kurti bëri një ndarje të pazakontë shoqërore dhe politike. Ai deklaroi se të gjitha n”dryshimet politike kanë pasur përherë dy faktorë-emgirantët dhe një elitë të vogël intelektuale të lindur brenda vendit”. Prandaj, sipas tij sot jo vetëm patriotët më të devotshëm, por edhe punëtoret me të mëdhenj, por edhe studentët e punëtorët me të zotë i kemi në diasporë, por jo në Kosovë”.
Fillimisht, ky diferencim i paprecedent nuk ka dyshim se është pasojë e një kalkulimi cinik elektoral, për t’i grabitur edhe kësaj here votat e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025. Sepse nuk ka dyshim se mobilizimi i tyre mund të ketë ndikim serioz në raportet e forcave politike në Kosovë. Prandaj, në funksion të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, ai e ka filluar shpërdorimin masiv të përfaqësive diplomatike të shtetit të Kosovës në shtetet perëndimore , duke i shndërruar ato në celula të mobilimit partiak. Me këtë rast edhe miklimi demagogjik i egos së tyre është pjesë e kësaj strategjie.
Mirëpo, hipokrizinë e shefit të Qeverisë e shpërfaq sidomos konstatimi i tij se ndryshimet e domosdoshme shoqërore janë pasojë e kombinimit të masave të diasporës me elitën e Vetëvendosjes. Si mund të prodhohen ndryshime nga një shtresë që është pasive në aspektin politik. Sepse kjo e fundit nuk është vetëm fushatë elektorale, por veprimtari ditore, kontestim, pajtim, antagonizëm, rezistence ndaj pushtetit dhe betejë konstante. Prandaj, për Albinin Kurtit patriotë i vërtetë është vetëm ai që heq dorë nga politika dhe angazhimi ditor, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i garantohet sundimi atij. Në këtë mënyrë po ashtu, Albin Kurti me një fjalim të çastit e hodhi në koshin e mbeturinave elektorale emrin e partisë që e përfaqëson, atë Vetëvendosjes si aksion kolektiv.
I kapluar nga frika e tkurrjes së pushtetit dhe rënia e pashmangshme autoritetit tw tij, Albin Kurti dje tregoi se qytetarë të duhur për të janë, jo ata që e luftojnë depopullimin e Kosovës një tendencë kjo e kahershme e Serbisë. Në fund të fundit pse në kohën e Milosheviqit persekutoheshin ata që kishin vendosur të qëndronin në Kosovë, e jo ata që e braktisnin atë. Sepse ai regjim e dinte se të parët ishin pengesë kundër serbizimit të Kosovës. Prandaj, pasi dështoi politika e tij për spastrim gradual etnik si pasojë e atyre që nuk lëvizën nga shtëpitë e tyre, pavarësisht aparteidit, diskrimimit dhe shtypjes në fund ai regjim e aplikoi projektin e dëbimit masiv.
E kryeministri Kurti dje e ofendoi dhe poshtëroi këtë përpjekje kolektive për ta mbajtur me çdo kusht Kosovën ta banuar me shqiptarë, vetëm për shkak të manisë së tij që të gëzojë mbështetje politike por pa kërkuar asnjë llogari, përgjegjësi dhe detyrime ndaj tij.