Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si i legjitimoi opozita pretendimet politike “sovraniste” të kryeministrit për rritjen ekonomike?

Si i legjitimoi opozita pretendimet politike “sovraniste” të kryeministrit për rritjen ekonomike?

Shkruan Afrim Kasolli

Ashti siç pritej, postimi dje i kryeministrit Kurti mbi rritjen e Investimeve të Huaja Driekte, gjatë mandatit të tij, shkaktoi reagim publik.

I pari i qeverisë së Kosovës deklaroi se prej se e ka marrë pushtetin në vitin 2021 e deri më sot, ky segment i jetës ekonomike është shtuar 2.4 herë më shumë në raport me qeverisjet e kaluara. Pra, “mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes sonë është 705.6 milionë euro apo 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara e cila është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej”, tha ndër të tjera Kurti. Dhe sipas tij, ky zhvillim nuk është i rastësishëm por pasojë e drejtpërdrejtë i modelit qeverisës që ka ndjekur gjatë këtij mandati, sikur se nëpërmjet sundimit të ligjit, përparimit demokratik, stabilitet institucional, reformave ekonomike, përgjegjshmërisë fiskale, politikave tatimore të përshtatshme, mbështetjes së investimeve përmes garantimit të kredive”etj.

Ndërkohë, sipas opozitës konstatime të tilla janë propagandë dhe nuk e pasqyrojnë realitetin ekonomik në vend, sepse nuk bëhet fjalë për asnjë investim të huaj, por për blerje të patundshmërive nga diaspora, si dhe për rritje të inflacionit.

Mirëpo, këtu duhet pasur parasysh faktin se kriterin për atë që kategorizohet si investim i huaj, Qeveria e ka huazuar nga Banka Qendrore e Kosovës. Dhe një kriter i tillë është përdorur ndër vite. Prandaj, nëse në të kaluarën janë konsideruar si investim i huaj edhe ato të diasporës në patundshmëri, pa ndryshimin e këtij kriteri, nuk mund të zhvleftësohen pretendimet e Qeverisë.

Sot për sot, BQK këtë segment e konsideron si të tillë. Bie fjala në raportin për TM1 të vitit 2024 ky institucion konstaton se “IHD-të në TM1 2024 arritën vlerën prej 214.7 milionë euro, duke shënuar rritje prej 13.2 përqind kundrejt TM1 2023”. Dhe vetëm pas këtij konstatimi ky raport e bënë nëndarjen e kategorive të veçanta duke shkruar, “Rritja e IHD-ve është evidentuar kryesisht ne sektorin e patundshmërisë, me një rritje prej 34.7 përqind, duke arritur vlerën prej 141.9 milionë euro, qe perben rreth 66.1 përqind të gjithsej IHD-ve. Rritja e IHD-ve kishte edhe në sektorin e energjisë elektrike, tregtisë dhe në sektorin financiar përfshirë sigurimet. Në anën tjetër “Investimet direkte te rezidentëve nga Kosova në vendet tjera kane shënuar rënie prej 24.5 përqind në TM1 2024, duke arritur vlerën prej vetëm 37.1 milionë euro në krahasim me 49.1 milionë euro sa ishte ne TM1 2023, investime të destinuara kryesisht në vendet e rajonit e të orientuara në sektorin e patundshmerisë”. Shkaqet e këtij ndryshimi mbetet të analizohen. Se a bëhet fjalë për pakësim të kapitalit financiar vendas, apo që të njëjtit po e ndjejnë vetën më të sigurt aktualisht, prandaj edhe nuk janë duke e eksportuar kapitalin e tyre në vendet tjera, sepse i shohin më profitabile investimet në Kosovë?

Në këtë kontekst, nëse është e vërtetë se kjo shumë është rritur gjatë këtij mandati, atëherë Qeveria po e përdor një standard që e ka trashëguar se si bëhet ky vlerësim. Me këtë rast, opozita duhet të tregojë se ky lloj i transaksioneve gjatë kohës sa ajo ka qeverisur, nuk është konsideruar si Investime të Huaja Direkte, por vetëm ato që kanë ndodhur në sferën e prodhimit. Mirëpo, kritikat e kësaj të fundit ndaj të dhënave të kryeministrit u fokusuan kryesisht, në kundërshtim me kriteret e BQK-së, për ato që konsiderohen si Investimet e Huaja Direkte.

Kështu, duke i kritikuar në mënyrë arbitrare pretendimet e Kryeministrit, sepse siç pohuam logjika për këtë vlerësim derivon nga BQK-ja, në fakt opozita i legjitimoi pretendimet kryesore politike të Albin Kurtit.

Shpeshherë është thënë, se aksionet që ka ndërmarr Qeveria e Kosovës në pjesën veriore, përpos acarimit me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, po ashtu, kanë pasur efekte negative edhe në ekonomi, ngase akte të tilla i trembin investimet e huaja. Mirëpo, i pari i qeverisë, pikërisht duke i shfrytëzuar standardet e njëjta, po i thotë opozitës, se veprimet e tij për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë, nuk kanë prodhuar stagnim ekonomik, siç keni trumbetuar, por të kundërtën. Prandaj, nga beteja për shtrirje të ligjshmërisë janë shtuar edhe investimet e huaja. Kështu, Kosova është bërë edhe me sovrane edhe më më shumë investime. Për më tepër, sipas kësaj logjike, as masat sanksionuese të Bashkimit Evropian, nuk kanë pasur efekt negative në vend. Dhe është ky dimension politik që opozita ka dështuar ta adresojë në raport me qasjen“sovraniste” të pushtetit. /TV Arbëria

Powered by WordPress