Para pak dite ministri i Financave, Hekuran Murati kishte shkruar se ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar.
Sipas Muratit kjo dëshmon qëndrueshmëri të bizneseve përballë sfidave të njëpasnjëshme.
“Ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar, duke dëshmuar qëndrueshmëri të bizneseve tona përballë sfidave të njëpasnjëshme.
Sipas ASK-së, për TM4 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%, gjë që ishte në linjë edhe me pritjet tona”, ka shkruar ai.
Duke e kritikuar punën e qeverisjeve të kaluara se për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliard euro, ai tha se me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro.
“Përderisa me qeveritë e kaluara për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliard euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit”, ka përfunduar Murati.
Ndërkohë Banka Botërore i ka demantuar këto pretendime të Muratit.
Në raportin e saj vjetor për Kosovën, Shqipërinë, Bonjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, Banka Botërore e ngriti parashikimin e rritjes për vitin 2024 për 0.2 për qind krahasuar me raportet paraprake, duke u bazuar në optimizmin se rajoni i ka tejkaluar krizat prej pandemisë së COVID-19.
Por, ajo paralajmëroi për rreziqet e vazhdueshme të tregtisë dhe investimeve të dobëta me eurozonën, të cilat lidhen me dobësitë e vazhdueshme në rritjen globale, si dhe me mundësitë për rritjen e tensioneve gjeopolitike, emigrimin, pasigurinë zgjedhore dhe inflacionin e vazhdueshëm.
Shkalla e inflacionit në rajon ra shumë, nga 14.3 për qind në janar 2023 në 5.1 për qind në dhjetor 2023.
Në Kosovë, shkalla e inflacionit sillet në rreth 2 për qind, por çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë mbetur të larta prej se inflacioni ka arritur kulmin më 2022, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
/TV Arbëria