Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si filloi dhe përfundoi rregullorja që e armiqësoi Kosovën me botën?

Si filloi dhe përfundoi rregullorja që e armiqësoi Kosovën me botën?

Vështrim nga TV Arbëria – Në fund të vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës mori vendim për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në komunat e banuara nga ky komunitet.

Ky vendim u arsyetua mbi bazën e nenit 11 të Kushtetutës së Kosovës, sipas të cilit “Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme”. Rregullorja e re do të hynte në fuqi me 1 shkurt të vitit 2024.

Kështu, do të merrte fund praktika e deri-tanishme ku në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia e ka shfrytëzuar dinarin serb për të kryer pagesa. Po ashtu me dinarë janë paguar pensionet, shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale, si dhe në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët, përveç euros, është përdorur edhe dinari.

Ky zhvillim i alarmoi shtetet perëndimore aleate të Kosovës. Fillimisht, ambasadorët e shteteve të QUINT-it, trokitën në derën e Kryeministrit Kurti. Ata i kërkuan këtij të fundit që ta pezullojë zbatimin e kësaj rregulloreje.

Në komunikatën e përbashkët për shtyp diplomatët perëndimorë rekomanduan “që kjo çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe u shprehën të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin”.

Ky qëndrim i përsëri edhe nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, më i zëshmi në kërkesën për pezullim të kësaj rregullore ishte Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Përfaqësuesi i SHBA-ve, në vendin tonë shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi ia kërkoi edhe  guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Pas këtij takimi për një gjë të tillë ai e kërkoi edhe në një takim kokë me kokë me kryeministrin Kurti, në zyre të Qeverisë së Kosovës. Kurse, në një konferencë para gazetareve diplomati amerikan me tone të shqetësuara ngriti alarmin se mos shtyrja e zbatimit të kësaj rregullore, do të mund të shndërrohet në burim të tensioneve etnike. Dhe e paralajmëroi Kosovën se nëse nuk i merr në konsideratë rekomandimet amerikane, kjo kokëfortësi do të ndikojë në cilësinë e raporteve biletarale ndërmjet dy vendeve tona.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit, në një komunikatë zyrtare e akuzoi Prishtinën se po ia pamundëson SHBA-ve avokimin ndërkombëtar për Kosovën.

Përkundër, ashpërsimit të raporteve më mes të Kosovës dhe shteteve partnere perëndimore, Kryeministri i Kosovës gjatë gjithë kohës shfaqej si një lider që e refuzon negocimin mbi këtë temë. Në disa raste, ai kishte pohuar se nuk mund të ketë kompromise me zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe nuk mund të ndërhyjë në punën e BQK-së si një institucion i pavarur. Për më tepër, Kurti kërkonte që as të tjerët të mos ushtrojnë presion mbi Guvernatorin e Bankës në realizimin e detyrave të tij.

Kurse për dallim nga ky qëndrim i Qeverisë, Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani u shpreh më skeptike në mundësitë e Kosovës për ta zbatuar plotësisht këtë rregullore pa ndihmën e aleateve perëndimorë. Madje ajo duke aluduar në Kryeministrin Kurti deklaroi se kushdo që mendon ndryshe nuk ka njohuri mbi historinë moderne të shtet-ndërtimit të Kosovës.

Në anën tjetër, Serbia e shfrytëzoi rastin edhe një herë për t’u vetë viktimizuar para Bashkësisë Ndërkombëtare, për presionin që Kosova po e ushtron mbi serbët lokal. Në funksion të kësaj agjende ia doli që ta adresojë temën e dinarit deri në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Me këtë rast të dy vendet këmbyen akuza për vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë. Serbia e cilësoi si “sulm ndaj serbëve”, ndërkaq Kosova tha se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës synon të mbrojë qytetarët nga aktivitetet e paligjshme.  Në fund shtetet perëndimore sikur se SHBA-të, Britania e Madhe etj, e akuzuan Kosovën për vendime të njëanshme dhe të pa konsultuara si  me serbët lokalë, ashtu edhe me vetë ato.

Natyrisht, ato e kritikuan edhe Serbinë për faktin se pse ende ata që kishin marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit shëtisin të lirë dhe nuk janë përballuar me drejtësinë. Kështu çështja  dinarit u barazua me  agresionin ushtarak dhe paramilitar nga Serbia mbi territorin e Kosovës. Po ashtu, ndonëse për motive të ndryshme, për herë të parë si shtetet demokratike perëndimore edhe ato autokratike lindore u “bashkuan” në kritikat ndaj Kosovës si një vend që po i nxit tensionet etnike.

Nuk ka dyshim, se kjo ishte njëra nga qortimet më serioze diplomatike që mori shteti ynë në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë,  pa kaluar mirë as 24 orë nga ky takim në Këshillin e Sigurimit, BQK e njoftoi opinionin se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, mund të shtyhet në tre muaj.

Ndërkaq, paralelisht me këtë zhvillim në një postim në platformën e tij X në gjuhën angleze kryeministri Kurti shkruante se “Qeveria e Kosovës, brenda kompetencave të veta, nuk do të shqiptojë masa ndëshkuese gjatë periudhës tranzitore dhe thërret edhe shtyllat tjera (institucionale) që të mbajnë të njëjtin qëndrim”.

Kurse me 12 shkurt në Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke përjashtuar dinarin serb.

Nën dritën e këtyre tensioneve të reja në veri të Kosovës, grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, ka filluar të shpërndajë fletushka që inkurajojnë qytetarët serbë të mos binden ndaj Policisë së Kosovës, duke përshkallëzuar edhe tej situatën e sigurisë.

Video e plotë:

/TV Arbëria