Zgjedhjet e parakohshme parlamentare – të cilave u paraprinë përplasjet disamuajshe ndërmjet partive politike, bllokadat institucionale dhe fjalori polarizues – përfunduan me një fitore bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë për Radion Evropa e Lirë (REL) se zgjedhjet e 28 dhjetorit ia sollën partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, një fitore “spektakolare”, të cilën ajo e arriti kryesisht falë “dobësive” të partive opozitare.
LVV-ja i fitoi 49.30 për qind të votave, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Kjo është një fitore spektakolare e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ia ka dhuruar opozita me mungesën totale të ideve se si të ballafaqohen me popullizmin e fuqishëm të Kurtit”, thekson analisti Artan Muhaxhiri për REL-in.
Të dhënat preliminare të KQZ-së tregojnë se partitë opozitare ngelën shumë mbrapa.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i fitoi 21.01 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)13.59 për qind, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.68 për qind.
Nisma Socialdemokrate, me vetëm 1.72 për qind të votave nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.74 për qind të votave.
Fitoren e LVV-së, politologu Dritëro Arifi e sheh si rezultat të disa faktorëve të ndërlidhur – “propagandës së fuqishme” që ka kjo parti, si dhe dobësive të partive opozitare, të cilat nuk kanë arritur të jenë mjaftueshëm aktive dhe të prezantojnë ekspertizë.
“Më e rëndësishmja është se qytetarët e kanë vërejtur mungesën e lidershipit te partitë opozitare, si dhe të një personi që do të mund ta ndryshonte gjendjen”, thekson Arifi për REL-in.
Bazuar në rezultatet preliminare, LVV-ja pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 23 ulëse, LDK-ja 15 ulëse dhe AAK-ja 6 ulëse.
Lista Serbe pretendon se i ka fituar të gjitha dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, por mbetet ende në pikëpyetje nëse partia tjetër serbe, Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, do ta fitojë një ulëse.
Çka thanë partitë politike?
Lëvizja Vetëvendosje po shkon në drejtim të përsërisë ose tejkalojë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur kishte fituar 50.28 për qind të votave.
Asokohe ajo e krijoi shumicën parlamentare pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, por vetëm me deputetë nga pakicat joserbe, të cilat i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend, gjithashtu.
Lideri i LVV-së, Albin Kurti, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se “sa më parë që certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, aq më shpejt do të krijohen institucionet”.
Ai i ka ftuar partitë e tjera që të bashkëpunojnë për marrëveshjet ndërkombëtare, duke thënë se ky hap do të jetë test për bashkëpunimin e mundshëm të mëtejmë, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit në pranverë.
“Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Kurti.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza nuk ka reaguar pas përmbylljes së procesit të votimit.
Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka uruar fituesin e zgjedhjeve, duke thënë se “Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”.
Ai e mori përgjegjësinë për rezultatin e dobët të partisë së tij, duke mos e përjashtuar as mundësinë e dorëheqjes së tij.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, menjëherë pas mbylljes së votimeve u shpreh i kënaqur me rezultatin e partisë së tij.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb dhe “të gjitha dhjetë mandatet” e deputetëve të rezervuara për këtë komunitet.
Megjithatë, ai theksoi se për rezultatin final, Lista Serbe pret vlerësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Fjalori “i zbutur” i Kurtit dhe sfidat e së ardhmes
Fjalimi i Kurtit, kur e shpalli fitoren pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, ishte “mjaft i kujdesshëm dhe i matur”, në raport me partitë tjera shqiptare, vlerësojnë vëzhguesit e zhvillimeve zgjedhore.
Por, sipas tyre, sfidat të cilat e presin shumicën e re parlamentare, por edhe qeverinë e re, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të vendit në pranverën e vitit 2026, nuk i lënë vend “arrogancës të Kurtit”, të cilën ai e kishte shfaqur ndaj kundërshtarëve politikë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe atyre të 9 shkurtit 2025.