Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme, mediumi Vox Kosova, ka arritur t’i bëjë publike disa komunikime interne të figurave të larta të Lëvizjes Vetevendosje, të cilat tregojnë qartë për logjikën nepotiste dhe klienteliste të këtij subjekti politik në kapjen e ndërmarrjeve publike.
Me këtë rast dëshmohet se si ministrja Artane Rizvanolli, se bashku me figurën kryesore gri Dejona Mihalli, kanë ndikuar në emërimin e aktivistit të Vetëvendosjes, nga qyteti i Mitrovicës Faruk Mujka, në pozitën e Kryeshefit Ezkekutiv të Ibër-Lepencit.
Publikimi i këtij skandali në këtë kohë pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, pa dyshim se shënon një goditje politike për këtë parti. Ai demanton mitin e saj se është radikalisht e ndryshme nga të tjerat.
Dhe se rekrutimi për pozita të larta profesional do të bëhet mbi standarte meritokratike në vend të militantizimit partiak, mbetet kredo e sjelljes së saj politike. Për më shumë është ky një rast në mesin e shumë të tjerave që pasqyron tjetërsimin e interesit publik dhe resurseve shtetërore në trampoline për fuqizim të bazës partiake.
Prandaj, me qëllim që të realitivizohen efektet negative të kësaj afere sot Lëvizja Vetëvendosje e ka postuar në rrjetet sociale një listë me kandidatet për deputetë te saj, ku përpos ftyrës së Albin Kurtit të gjithë të tjerët, nuk janë asgjë tjetër, pos numra. Mesazhi politik është i qartë; që ky subjekt e njeh vetëm kultin e liderit të saj.
Mirëpo, publikimi i kesaj liste mund të jetë bërë i nxitur nga kalkulime taktike, ku ka për qëllim për t’i zhvendosur diskutimet e publike nga kapja e shtetit në karakterin e brendshëm të Lëvizjes Vetevendosje. Ashtu siç janë pjesë e kësaj logjike edhe ndryshimi kozmetik ndaj mediave si dhe intonimi i kenges se Edona Llaloshit dedikuar Albin Kurtit. Pra ne këtë mënyre metohet që opinioni të flas sa më pak që të jetë e mundur për qeverisjen thuajse gjashtë vjeçare të Lëvizjes Vetevendosje.
Megjithatë, është me rëndësi të kujtohet fakti se për qytetarët e Kosovës rëndësi kanë (mos) veprimet publike të kësaj partie dhe jo adhurimi delirant i Edona Llaloshit për Albin Kurtin, apo vullneti nënshtrues i kandidatëve për deputetë për ta shpërfytyruar veten. Ndonëse duke e pranuar hapur se ata janë një hiç politik para liderit, tërthorazi kanë dëshmuar se përgjegjësia politike edhe për atë që ka ndodhur në ndërmarrjen Iber-Lepenc, në KEK, apo më herët edhe me rezervat shtetërore në fund i takon vetëm Albin Kurtit. Sepse është vetëm ai që merr vendime dhe të tjerët janë hallkë zingjirore në funskion të zbatimit të tyre.