Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si e konfirmoi kryeministri serb se shteti i tij nuk mund të demokratizohet?

Si e konfirmoi kryeministri serb se shteti i tij nuk mund të demokratizohet?

 

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Para pak dite kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë një vizite në Athinë, si pjesëmarrës në “konferencën ndërkombëtare kushtuar paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm” ka deklaruar se vendi i tij mban lidhje specifike me Rusinë dhe Kinën, ndër të tjera edhe për “shkak të votave të tyre në Këshill të Sigurimit të OKB-së për çështjen e Kosovës”.

 

Ironikisht, deri sa shefi i qeverisë serbe, merrte pjesë në një takim kushtuar paqes me fokus agjendën e integrimeve evropiane, e mbronte aleancën e vendit të tij më një vend me ambicie imperiale dhe që është shndërruar në kërcimin kryesor për paqen si evropiane ashtu edhe botërore, vetëm me qëllim që të mbahet peng shtetësia ndërkombëtare e Kosovës dhe kështu të ushqehen synimet revanshiste të nacionalizmit hegjemonist të politikës serbe.

 

Po ashtu, në linjë me këtë qëllim malinj edhe presidenti serb Aleksandër Vuciq e ka arsyetuar afërsinë gjithnjë e më të madhe ndërmjet tij dhe presidentit kinez,  Xi Jinping. Në një sërë deklarimesh mediale, ai ka pohuar, “se sot Kina është një nga aleatët kryesor ku mund të mbështetmi kundër Kosovës”. Kurse po ashtu për “Serbinë, Tajvani është Kinë dhe kjo është përtej çdo diskutimi”.

 

Kështu, si kryeministri ashtu edhe presindenti serb këto aleanca strategjike me shtete autokratike i kanë justifikuar vetëm më mbështetjen që kanë gjetur kundër pavarësisë së Kosovës. Ndonëse si njëri ashtu edhe tjetri kanë deklaruar se qëllimi strategjik i Serbisë mbetet edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian si dhe raportet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, Serbia do të vazhdojë të ndjek të njëjtën rrugë duale edhe me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen.

 

Por pikërisht tolerimi i Serbisë që të ketë raporte me këto shtete për të gjetur mbështetje kundër Kosovës, është treguar historikisht si njëri nga shkaqet që e ka mbajtur politikën e këtij shteti në moçalin e autokracisë e autoritarizmit.

 

Mbase këtu qëndron edhe njëri nga gabimet strategjike të perëndimit. Siç dihet, një nga shpresat e këtij fundit për kohë të gjatë kishte qenë bindja se çështja e Kosovës do të mund të zgjidhet nëpërmjet demokratizimit të Serbisë. Por në të vërtetë saktësisht e kundërta ka ndodhur. Se sa ishte e gabuar kjo pandehmë është vërtetuar në vitet ’90-ta. Po ashtu,  mbi këtë pretendim u organizuan edhe negociatat në Bruksel nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ku integrimi evropian ofrohej si kompensim për humbjen e Kosovës.

 

Por pikërisht mos detyrimi i Serbisë për ta njohur fillimisht Kosovën, po tregon se sa strategjia e deritanishme e bashkësisë ndërkombëtare është e tejkaluar. Dhe një gjë të tillë jo shumë kohë  më parë ishte konfirmuar nga raporti i Freedom House. Në pjesën kushtuar Serbisë, në këtë raport thuhej se pikërisht “Refuzimi i Serbisë për ta njohur Kosovën, sfidë e madhe në demokratizim”.  Dhe këtë konstatim e e vulosi me fjalët e tij katërcipërisht edhe një herë, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq./TV Arbëria

Themes by WordPress