Shkruan: Afrim Kasolli
Është thënë shpesh se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk ka interes për normalizim të raporteve me Kosovën. Dhe se dakordimi i tij në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian më shumë është bërë për efekte taktike, për të blerë e kohë, e për t’u shfaqur para bashkësisë ndërkombëtare si lider i paqes, sesa njëmend ka pasur synime të tilla. Pra që në Bruksel të sillet si evropian, kurse në Beograd si agjent i doktrinës putiniste të kaosit
Mirëpo, krahas kësaj strategjie të dyfishtë diplomatike, këtu nuk duhet harruar faktin se as shoqëria serbe në masë të madhe nuk ka disponim për këtë normalizim. Dhe kjo mund të vërehet tërthorazi edhe nga ulja gjithnjë e madhe e qytetarëve serbë për anëtarësim në BE. Sipas një sondazhi të realizuar nga “nga organizata Qendra për Politikë Bashkëkohore (CSP), me seli në Beograd, sot arrin në vetëm 36 përqind e popullsisë është në favor të anëtarësimit në BE. Dhe kjo mbështetje për BE po bie me shpejtësi. Rreth 15 vjet më parë, 70 për qind e serbëve ishin në favor të anëtarësimit, shifra pësoi rënie në vitet që pasuan, por i kalonte 50 për qind”. Ndërkohë, aktualisht është në nivelin 36 për qind.
Siç dihet njëri nga atributet e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet edhe fakti se pa plotësimin e detyrimeve që dalin nga to, po ashtu edhe procesi i integrimeve euro-atlantike mbetet i bllokuar. Ngase progresi një njërën është i kushtëzuar me progresin në anën tjetër. Kurse për dallim nga disponimi i shoqërisë serbe, deri në 80 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin procesin e integrimit në BE.
Megjithatë, ajo që ka rënë në sy në rastin e Serbisë, ka të bëjë më faktin se rritja e sentimenteve euroskeptike ka ardhur duke u shtuar që nga koha kur Aleksandër Vuçiç, e ka marrë pushtetin. Pra shihet qarte, se i njëjti krahas rolit të tij destrukiv rajonal, po ashtu është angazhuar që ta kultivojë një frymë gjithnjë e më të madhe anti-evropiane edhe brenda shtetit të tij. Në mënyrë që ta përdor këtë disponim para botës si maskë për përpjekjet heroike që është duke bërë kundër asaj që është popullore në Serbi. Ku me këtë rast do të mund të përfitojë ekonomikisht nga Brukseli si shpërblim për përkushtimin e tij dhe të amnistohet politikisht për pamundësitë që e shoqërojnë për t’i zbatuar standardet evropiane.
Mbase ka ardhur koha që edhe BE-ja të shoh më qartë këtë kurth të liderit serb. Dhe ta mbajë përgjegjës si për qasjen e tij anti-evropiane si rajonale, por edhe brenda shtetit që e drejton. Dhe në këtë mënyrë të mos e mbajë të bllokuar Kosovën për shkak të lojërave duale të Alekesandër Vuçiç-it. Sepse me vazhdimin e kësaj qasje të sipër cekur, vetëm sa mund ta shtrojë rrugën që nesër ta humb edhe vendin më pro evropian në rajon.
/TV Arbëria