Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si e gjeti vdekjen Yahya Sinwar nga ata që para dy dekadave ia kishin shpëtuar jetën?

Si e gjeti vdekjen Yahya Sinwar nga ata që para dy dekadave ia kishin shpëtuar jetën?

Shkruan: Afrim Kasolli

I konsideruar si njëri nga organizatorët kryesorë të sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 kundër Izraelit, ku u vranë rreth 1200 civilë si dhe u kidnapuan më shumë se 250 persona, Yahya Sinwar, lideri i Hamasit e gjeti dje vdekjen nga një sulm i forcave izraelite në rripin e Gazës.

Eliminimi i tij ka ngritur shumë dilema dhe pikëpyetje mbi fatin e organizatës që e drejtonte, por edhe në përgjithësi sa i përket operacioneve ushtarake të Forcave Mbrojtëse të Izraelit në enklavën e Gazës. Pas sulmit të befasishëm të shtetit hebraik nga militantët e kësaj organizate, kryeministri Benjamin Netanajahy, ishte zotuar se njëri nga qëllimet e luftës kundër këtij grupi të shpallur terrorist si nga Tel Avivi, por po ashtu edhe nga shumë shtete perëndimore, mbetet zhdukja totale e saj. Dhe që nga ajo kohë, sipas shumë analistëve perëndimorë, ky shtet ia ka dalur që t’i dëmtojë tej mase resurset organizative të Hamasit. I ka eliminuar disa nga figurat kryesore drejtuese si ushtarake ashtu edhe politike, sikur se Mohammed Deif, Marwan Issa dhe  udhëheqësin e Buros Politike, Ismail Haniyeh, vendin e të cilit e zuri Yahya Sinwar.

Natyrisht, në këtë betejë, po ashtu Izraeli ka shkaktuar një krizë humanitare, çfarë edhe ka ndikuar në dëmtimin e reputacionit ndërkombëtar të këtij shteti. Madje, Gjykata  Ndërkombëtare Penale i ka konsideruar përgjegjës në mënyrë të njëllojtë për atë që po ndodh në Gaza, si tre liderët e sipër përmendur të Hamasit , por që tashmë kanë gjetur vdekjen, ashtu edhe kryeministrin e Izrealit,  Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtës, Yoav Gallant.

Megjithatë, siç shkruan gazeta e njohur “The Guardian” ashtu si ka pasur luftë para vrasjes së  Yahya Sinwar, po ashtu mund të ketë edhe pas këtij eliminimi. Ndonëse, kjo ngjarje do ketë impakt të drejtpërdrejtë mbi këtë organizatë. Edhe pse ajo do të tentojë ta portretizojë Sinwarin si një martir që shndërrohet në inspirim për vullnetarë të tij. Mirëpo, pavarësisht kësaj propagande eliminimi i një drejtuesi kaq të nderuar mbetet e paqartë nëse do të ndikojë në rigjenerimin dhe rekrutimin e militantëve të rinj në kuadër të Hamasit. Në anën tjetër ky eliminim mund ta shtojë erdhe më shumë përkrahjen publike për kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyhau. Prandaj, ka gjasa që ky i fundit të mos tërhiqet edhe për të relativizuar edhe më shumë kritikat që kanë rënduar mbi të se ka dështuar ta parandalonte 7 tetorit.

Madje siç shkruante kohë me parë gazeta e njohur Financial Times, në shkrimin, “Israel’s spies take their revenge” se ky dështim kishte ardhur edhe si pasojë e faktit se Izraeli për disa vite kishte neglizhuar rrezikun nga Hamasi, sepse ishte koncentruar në mase të madhe rreth mbledhjes se informatave, kryesisht sa i përket aktiviteteve të Hezbollahut dhe Iranit.  Për më shumë shkruan mediumi tjetër, “The Telegraph”, autoritetet izraelite besonin se Sinwar më shumë ishte shqetësuar për ta shtrirë pushtetin e tij në Gaza dhe për të nxjerrë përfitime ekonomike për popullin e tij, se sa për ta sulmuar shtetin e Izraelit. Dhe këtë besim ata e bazonin edhe në disa prej deklaratave të tij se luta nuk është në interes të Hamasit, sepse sipas fjalëve të tij, “Ne e kuptojmë që Izraeli ka 200 armë bërthamore dhe ka forcën ajrore më të avancuar në rajon. E dimë që nuk kemi aftësinë për të shpërbërë Izraelin”.

I lindur në vitin 1962 në një kamp refugjatëve, në rripin e Gazës ai rrjedh nga një familje e cila kishte në orgjinë, Al-Majdal Asqalan, tani i njohur si qyteti Ashkelon,  por që u shndërruan në refugjatë në vitin 1948, në atë që njihet në kujtesën palestineze si Nakba, e cila e ka kuptimin e një katastrofe tragjike.  Pas përfundimit të shkollës së fillore dhe të mesme ai i ndoqi studimet arabe në Universitetin Islamik të Gazës, ku pati rastin të krijojë raporte shumë të ngushta më njërin nga themeluesit  e këtij institucioni Ahmed Yassin, i cili po ashtu do të shndërrohet në themeluesin kryesor të Lëvizjes së Hamasit.

Yahya Sinwar, u dallua shumë herët për aktivitetet e tij kundër Izraelit për çka edhe u arrestua dhe kaloi një kohë të gjatë si i burgosur. Mbi të rëndonin akuzuat për vrasjen e dy ushtarëve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, si dhe palestinezëve që ishin identifikuar si shërbëtorë të shtetit izraelit. Ndërkohë, gjatë qëndrimit në burgjet e këtij shteti, ai ia dedikoi jetën si identifikimit dhe krijimit të rrjetës së bashkëpunëtorëve të ardhshëm ashtu edhe mësimit dhe studimit të gjuhës, historisë dhe kulturës hebraike. Shërbimi sekret izraelit, e përshkruante atë si të “egër, autoritetar dhe më ndikim, dinak, manipulator, të pranuar nga shokët dhe më aftësi të pazakontë durimi, që mban sekrete edhe brenda burgut si dhe që ka aftësinë të drejtuar masat”.  Sinwar shkruante se izraelitët donin që “burgu të ishte një varr për ne. Një mulli për të thyer vullnetin, vendosmërinë dhe trupat tanë. Por falë zotit dhe besimit në kauzën tonë ne i kthyem qelitë në vende adhuruese dhe akademi studimi”. Thuhet se agjencitë informative izraelite, disa herë kishin tentuar që ta rekrutonin si bashkëpunëtor të tyre. Por, kishin dështuar. Madje këtë nuk ia kishin arritur as në vitin 2004,  pas një operacioni kirurgjik të komplikuar në tru, në një spital izraelit. Kështu fundi i tij erdhi pikërisht nga ata që para dy dekadave ia kishin shpëtuar jetën. /TV Arbëria