Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si do të ishte bota nëse Amerika bëhet një shtet normal historik?

Si do të ishte bota nëse Amerika bëhet një shtet normal historik?

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka kohë që shtete autokratike si Kina dhe Rusia ankohen për një botë të padrejtë në raport me interesat e tyre shtetërore. E tëra kjo sipas tyre, për shkak të dominimit global që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Prandaj, si Pekini ashtu edhe Moska insistojnë në një revizionizëm gjeopolitik, ku do të duhet të merren në konsideratë edhe interesat e tyre, si kusht për t’u ruajtur paqja botërore.

Këto dy shtete, së bashku me shumë vende tjera satelite më qëllim të çmontimit të “Pax Americana” i kanë intensifikuar gjithnjë e më shumë raportet ndërmjet tyre. Presidenti rus Vladmir Putin dhe ai kinez Xi Jiping janë takuar më shumë se 40 here gjatë kësaj dekade dhe janë pajtuar për një miqësi pa limite. Kritikën më ta ashpër ndaj parametrave të këtij rendi e kishte adresuar presidenti Putin, gjatë Samitit të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë në vitin 2007. Atëbotë lideri rus në mënyrë të “befasishme”, i pat akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “monopol në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për përdorim të pakontrolluar të hipër pushtetit imperial ndaj të tjerëve”.

Ndërkohë, në anën tjetër, një dokument politik i përbërë më shumë se 13 mijë fjalë i publikuar në muajin shtator të vitit të kaluar nga autoritetet shtetërore kineze, sipas CNN, pasqyron qartë tendencat e Kinës, duke u thënë vendeve tjera “se ju mund të mos e pëlqeni regjimin e brendshëm të Kinës apo Rusisë, por nëse dëshironi që bota të ketë siguri dhe paqe u duhet hapësirë edhe këtyre regjimeve për mbijetesë dhe lulëzim”.

Një zemërim të tillë ndaj rendit global të dominuar nga Amerika, në formë më të butë, nuk është se nuk e kanë shprehur në vazhdimësi gjatë këtyre viteve edhe disa shtete evropiane, me anë të vizionit për “autonominë e tyre strategjike” nga Uashingtoni dhe përafrimit me Rusinë. Franca dhe Gjermania, jo pak e kanë mbështetur dikur këtë projekt. Madje, Berlini e kishte përkrahur sa ishte në opozitë edhe partinë aktuale në pushtet në Kosovë, si pjesë e një makro-strategjie për ta kufizuar ndikimin e Amerikës.

Mirëpo, shtrohet pyetja nga vjen ky mllef i secilës prej këtyre shteteve ndaj rendit të drejtuar dhe dominuar nga SHBA-të, kur edhe ato kurrë gjatë historisë nuk kanë qenë më të sigurta se sa në këtë fazë të “anormlitetit historik”.

Le të marrim shembullin e Rusisë. Ky shtet imperial gjatë shekullit të kaluar ishte poshtëruar tri herë nga fuqitë e tjera si perëndimore ashtu edhe lindore. Ajo u mund për pak ditë nga Japonia në vitin 1905. Ndërkohë, ushtria si dhe forca e saj kolapsoi totalisht gjatë Luftës së Parë Botërore, duke i hapur kështu rrugë përmbysjes së Carizmit dhe triumfit të Revolucionit të Tetorit. Po ashtu, në vitin 1941, Ushtria e Kuqe, ishte shkatërruar gati se thuajse plotësisht, nga Gjermania Naziste. Rimëkëmbja e saj, siç ka vënë në pah, historiani i njohur, Timothy Snyder, u bë e mundur vetëm falë ndihmës Anlgo-Amerikane nëpërmjet Iranit. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me Kinën. Në fund të viteve 1800, Japonia e kishte shpartalluar ushtrinë kineze në një konflikt mbi Korenë dhe po ashtu në shekullin e 20-të e pat pushtuar Mençurinë.

Pra, siç shihet këto shtete kurrë nuk kanë qenë më të sigurta se sa në kohën kur bota iu “nënshtrua” plotësisht Amerikës. Apo siç është rasti i njohur i dialogut ndërmjet ish-presidentit të vrarë amerikan Robert F. Kennedy dhe ish-kryetarit të Francës Charles de Gaulle. Thuhet se ky i fundit i kishte kërkuar të parit tërheqjen amerikane nga Evropa. Dhe R.Kenendy ishte përgjigjur se ne mund ta bëjmë atë, siç e kemi bërë pas Luftës së Parë Botërore, por nuk është se shteti juaj ka kaluar më mirë nga mungesa amerikane në kontinentin e Evropës.

Paradoksalisht, shteti që më së paku kishte nevojë për rendin që e krijoji pas Luftës së Dytë Botërore ishte vet Amerika. Sipas Hal Brands në shkrimin “An America First World- What Trump’s Return Might Mean for Global Order” SHBA-të në atë kohë ishin aktori më i fuqishëm global. Pra, për shkak të bekimit gjeografik, e rrethuar me dy oqeane dhe përparësive ekonomike asnjë rival nuk mund të krahasohej me të. Dhe po ashtu edhe sot nëse ky vend rikthehet plotësisht nga vetvetja e për të ndjekur vetëm interesat e ngushta shtetërore, është shteti që më së paku do të dëmtohej. Në një botë ku ringjallen pushtimet territoriale përsëri ajo të ishte me e sigurt. Ndërkaq edhe çmontimi i rendit ekonomik global do t’i rikthej në përfitim më shumë se çdo shteti tjetër, për shkak të resurseve enorme të brendshme dhe tregut të gjerë ekonomik.

Por, janë pikërisht këto veti të Amerikës për t’u përkujdesur edhe për sigurinë e aleatëve të saj edhe në zona tjera të botës, që e kanë bërë atë të jetë një shtet “jo normal” në aspektin historik. Asnjë perandori tjetër më parë nuk ishte përkujdesur për t’i rindërtuar dhe për t’u ndihmuar vendet që i ka nënshtruar, siç ka ndodhur me rastin e Japonisë dhe Gjermanisë së mundur. Madje ky rol global i saj po shkakton gjithnjë e më shumë pakënaqësi edhe në kuadër të shoqërisë amerikane. Dhe një pjesë e suksesit elektoral të ish-presidentit dhe kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump, është ushqyer nga këto sentimente, duke kërkuar që t’i jepet fund kontributit asimetrik të sigurisë së përgjithshme.

Në këtë kontekst, çdo skenar që e afirmon shndërrimin e SHBA-ve në një shtet normal historik do të shkaktonte pasoja për të tjerët. Le të marrim vetëm shembullin e Ukrainës. Ajo do të dorëzohej për pak ditë pa ndihmën amerikane ndaj pushtimit brutal rus. Ndërkaq në Azi asnjë shtet apo koalicion sot nuk është në gjendje ta balancojë Kinën pa prezencën amerikane. Kur shembujt e fundit, treguan se po ashtu se në Lindje të Mesme, vetëm forca e këtij shteti mund ta mbaj nën kontroll Iranin e mbështetur nga Rusia dhe Kina. Ndërkohë mund të imagjinohet lehtë se çfarë mund të ndodhte me demokracinë në shumë vende të botës, nëse SHBA-të nuk angazhohen për ta bërë botën më të sigurt për lulëzimin e saj.

Ky mbase është fati “tragjik” i këtij shteti “jo normal” në aspektin historik dhe gjeopolitik. Që shndërrimi i tij në një shtet normal do t’i rikthej në përfitim imediat për vete, por do të shkaktonte një kaos apokaliptik në botën. /TV Arbëria

Themes by WordPress