Shqiptarët rezultojnë një ndër popujt me nivelin më të lartë të pronësisë së banesave ku jetojnë. Qytetarët shqiptarë investojnë gjithçka për të siguruar një banesën ndërsa pjesa më e madhe e tyre rezulton të jetë e blerë me kredi .Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se 82,5 përqind janë pronarë të shtëpisë ku jetojnë ose janë në proces të marrjes së aktit ligjor të pronësisë. Ndërsa ndryshe është tendenca në Europë ku sipas të dhënave nga Eurostat mesatarja europiane ku qytetarët janë pronarë të një shtëpie ku jetojnë arrin në 70% .Në total në vendin tonë rezultuan se janë 1 milion e 82 mijë banesa.
Banesat private mbizotërojnë në Shqipëri dhe sipas të dhënave të mbledhura në terren përsa i përket karakteristikave të shtëpive është se 47 % e tyre janë individuale, dhe rreth 40% janë apartamente në pallate. Pjesa më e madhe e banesave në vend rezulton se është ndërtuar në periudhën 20 vjeçare 1981-2000. Ndërsa në 12 vite numri i banesave të reja të ndërtuara në Shqipëri për qëllime banimi është rritur me 70 mijë e 467. Përqindja e banesave të zakonshme të pabanuara është 32,9 përqind. Censi 2023 vlerësoi se 86,4 për qind e banesave të zakonshme të banuara kishin ujë të rrjedhshëm në ndërtesë. Ndërkohë që shqiptarët zotërojnë në banesa pajisjet kryesore si: televizorë, frigoriferë, telefon celular dhe lavatriçe. Interesant është edhe qasja në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit që është rritur ndjeshëm që nga censi i kaluar. Më shumë se 74 përqind kanë sistem fizik të lidhjes së internetit.