Shkruan: Afrim Kasolli
Lufta në Ukrainë, krahas humbjeve njerëzore, ekonomike dhe materiale, po ashtu e ka nxjerr gjithnjë e më shumë dobësinë gjeopolitike të Rusisë. Është e vërtetë se edhe Kievi ka pësuar humbje nga invazioni ushtarak i Kremlinit. Tashmë ky vend i ka humbur deri në 20 për qind të territorit dhe ka vështirësi serioze, ushtarake, njerëzore e monetare për të rezistuar edhe më tej. Kjo edhe është arsyeja, që u shtrua si nevojë urgjente furnizimi i ushtrisë mbrojtëse ukrainase me sistemin e mbrojtëse raketore Partriot të prodhuar nga SHBA-të, por të blerë nga vendet evropiane, anëtare të NATO-së.
Megjithatë, humbjet e Moskës janë duke u bërë gjithnjë e më evidente edhe sa i përket sferës së saj të deritanishme të influencës. Nuk ka shumë kohë, kur regjimi i Bashar al Assadit, kolapsoi sa hap e mbyll sytë, e i cili ishte porta kryesore së bashku me Iranin, e shtrirjes hegjemonike të Kremlinit në Lindje të Mesme.
Mirëpo, para shpërthimit të luftës në Ukrainë, shtete sikur Armenia dhe Azerbajxhani, po ashtu ishin nën tutelën e plotë të Kremlinit. Por tashmë edhe këto vende kanë janë distancuar nga lidhjet e dikurshme me Rusinë. Ato kanë filluar t’i intensifikojnë gjithnjë e më tepër ato me Republikën e Turqisë. Madje kjo e fundit, e mori rolin primar në negocitat ndërmjet dy vendeve për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë në mes dy shteteve për rajonin e Nagorno-Karabakut. Ky entitet ndodhej i okupuar për një kohë të gjatë nga Armenia me mbështetjen e Rusisë. Kur shpërtheu lufta e fundit, atëherë Putini, nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte aleatin e dikurshëm.
Natyrisht, përpos humbjes në Lindje të Mesme dhe në rajonin e Kuaukazit që dikur i takonte bllokut sovjetik, tkurrja e influencës ruse edhe në botën perëndimore është e jashtëzakonshme, për shkak të sanksioneve ekonomike ndaj saj. Kuptohet, për të kompensuar këtë humbje Rusia është orientaur drejt kërkimit të tregjeve të reja, sidomos në Kinë dhe Indi.
Sidoqoftë, për ta ruajtur sa më shumë influencën e saj, Moska i është përveshur metodave të indoktrinimit me qëllim destabilizimin e shteteve perëndimore nga brenda.
Me anë të kësaj fushate, e cila ishte proklamuar që në vitin 2024 nga Dimitri Medvedev, thuhej se Rusia, duhet që të ta kthejë jetën e qytetarëve të perëndimit në një ankth të përhershëm derisa ata nuk do të jenë në gjendje ta dallojnë “trillimin nga realiteti”, apo të mos jenë në gjendje ta specifikojnë diferencën ndërmjet asaj që është e drejtë dhe gabim. Synimi final i këtij projekti mbetet pikërisht rritja e pesimizmit të qytetarëve perëndimor në demokracinë.
Në këtë drejtim, ajo që po ndodh në Kuvendin e Kosovës, nuk mund të interpretohet ndryshe pos si operim brenda kësaj skeme. Sepse dështimi i vazhdueshëm për t’i themeluar institucionet e dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vetëm sa shton frustrimin dhe zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës në vetë demokracinë.
Në këtë kontekst, kur shumë shtete që dikur i kanë takuar bllokut sovjetik e kanë shfrytëzuar shansin që të dalin sa më shumë që të jetë e mundur nga hegjemonia ruse, mjerisht Kosova, ka vendosur të bëhet shembull eksperimental i suksesit të doktrinës së kaosit putnist.