SHKRUAN: AGRON HOTI
Gjykata Speciale ka qenë fillim e mbarim politike. Për SHBA-në dhe UÇK-në është themeluar për t’i mbyllur gojën Serbisë dhe Rusisë se UÇK vërtetë kishte bërë luftë të pastër çlirimtare, për ç’gjë UÇK edhe kishte fituar përkrahjen e tërë botës demokratike. Ndërsa për Rusinë, Serbinë, kolaboracionistët e tyre në Kosovë dhe qarqe evropiane është themeluar vetëm e vetëm për t’i eliminuar politikisht Krerët e UÇK-së, për ta futur më pas Kosovën në sabotazh apo paralizë totale siç është sot. Kështu që shtyrja e vendimit nga Specialja për Krerët e UÇK-së para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026 ka ndodhur për dy arsye kryesore:
1) Nëse vendimi për Krerët e UÇK-së do të ishte dënues, gjasat që Kosova të destabilizohej, do të ishin shumë të mëdha. Kjo pashmangshëm që do ta fuqizonte Krahun e Luftës dhe do t’ua prishte menjëherë matematikat evropianëve, të cilët herë heshtazi e herë publikisht bashkë me politikën e papërgjegjshme të Kosovës janë duke e funksionalizuar Autonominë për serbët e veriut, kjo për faktin që Kosova tashmë e ka humbur pothuajse tërë sovranitetin në veri, pra i ka krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për Autonomi, mjerisht duke na e shitur humbjen për fitore.
2) Nëse vendimi do të ishte lirues, atëherë kjo automatikisht do t’i rriste votat e Krahut të Luftës dhe do t’ua ulte atyre që kontribuan me dosje e propagandë antikombëtare kundër Krerëve të UÇK-së. Një rikthim në pushtet i Krahut të Luftës do të thoshte rikthim i projekteve amerikane në Kosovë, përfshirë projeksionet për pavarësimin energjetik të Kosovës.
Ndërkohë që evropianët e detyruar nga rusët nga viti 2000-2021 patën bërë të pamundurën që Kosova të mos pavarësohej energjetikisht, saktësisht siç jemi sot në paperspektivë totale. E kjo paperspektivë e qëllimshme vazhdon të keqpërdoret për zbrazjen e Kosovës dhe Ballkanit nga rinia. Sepse sfida numër një e evropianëve që po plaken e bien në numër më shumë dhe më shpejtë se çdokush në glob, është se si të sigurojnë fuqi të re punëtore që është sa më e pranueshme nga popullsitë e tyre. E rinia e Ballkanit është padyshim më e pranueshmja mes gjithë atyre që nga evropianët shihen si vende të treta.
Prandaj, në mënyrë që vendimi i Speciales të mos e ndikonte rezultatin zgjedhor më 7 qershor në disfavor të forcave politike që u sollën po nga evropianët, Speciales ende i konvenon paqëndrueshmëria politike në Kosovë, si arsyetim para botës për t’ua shtyrë çlirimtarëve vendimin deri në funksionalizimin e plotë të Autonomisë në veri, pra deri në rikthimin e Serbisë në veri, në mënyrë që kur të lirohen çlirimtarët nga Haga të gjenden para aktit të kryer, pra ta gjejnë Serbinë në veri.
Se a do t’i prishin amerikanët këto projeksione të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës, do të varet shumë edhe se sa do të imponohet një alternativë e re politike dhe se sa do ta kenë amerikanët fjalën kryesore në Gjykatën Speciale. Përndryshe kështu qysh jemi paralizuar, po e funksionalizojmë me zhurmë e patriotizëm të rremë Autonominë e serbëve në veri dhe mjerisht këtë humbje po ia shesim qytetarëve si fitore strategjike. Sepse pa ia shitur kështu, qytetarët do të ishin çuar qysh moti në protesta.