Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shtyhet për të mërkurën vendimi për Berishën

Shtyhet për të mërkurën vendimi për Berishën

Gjykata e Posaçme nuk arriti dot të dilte me një vendim këtë të martë në lidhje me kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës së sigurisë për-ish kryeministrin Sali Berisha, nga “detyrimi për t’u paraqitur” në atë të “arrestit në shtëpi”.

Shkak u bë kërkesa e avokatëve të ish-kryeministrit, që kërkuan kohë të njihen me kërkesën dhe pretendimet e SPAK, se Berisha nuk zbatoi masën e parë të caktuar ndaj tij.

Në nisje të seancës, avokatët kërkuan edhe njëherë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke argumentuar se këtë herë kanë siguruar prova që ajo është shkarkuar në vitin 1996, kur në krye të KLD së kohës ishte Sali Berisha.

Për këtë, avokatët e konsiderojnë Gjokën në kushtet e konfliktit të interesit. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës që të vendosë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha masën e sigurisë “arrest shtëpie” nën mbikëqyrje policore. Për mediat avokati Genc Gjokutaj, tha se kërkesa për ruajtje me polici nuk ishte ligjore.

“Ndryshimi i masës së sigurimit është kërkuar “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore e pa mbështetur në ligj, çka tregon dhe njëherë qëllimin e SPAK-ut dhe kësaj gjykate, jo për të bërë një proces të ligjshëm, por për t’u hakmarrë.”

Seanca e radhës do të zhvillohet të mërkurën në 27 Dhjetor ora 11:00./Tv Klan

Themes by WordPress