Përgaditi: Afrim Kasolli
Sa më shumë kohë që po kalon, aq më tepër po shtohet zhgënjimi i rinisë evropiane me demokracinë. Ky sistem më nuk është duke u perceptuar si forma finale dhe më efikase e qeverisjes njerëzore. Aktualisht vetëm gjysma e të e të rinjve në Francë dhe Spanjë besojnë se demokracia është modeli më e mirë e qeverisjes, ndërsa mbështetja është edhe më e ulët tek bashkëmoshatarët e tyre polakë, shkruan mediumi i njohur britanik The Guardian.
Ndonëse shumica e brezit Z në Evropë – 57% – e preferojnë ende demokracinë në raport e kundërshtarët e saj ideologjikë dhe politikë, megjithatë shkalla e mbështetjes ndryshon ndjeshëm, duke arritur vetëm 48% në Poloni dhe rreth 51-52% në Spanjë dhe Francë, ndërsa Gjermania ka nivelin më të lartë me 71%.
Më shumë se një në pesë – 21% – e të rinjve do të preferonin një qeverisje autoritare në rrethana të caktuara, të paspecifikuara. Ky nivel është më i larti në Itali me 24% dhe më i ulëti në Gjermani me 15%. Në Francë, Spanjë dhe Poloni, kjo përqindje ishte 23%.
Thorsten Faas, i cili ka punuar në këtë studim ka pohuar për mediumin në fjalë se “Tek personat që e shohin veten politikisht djathtas nga qendra dhe që ndihen ekonomikisht të pafavorizuar, mbështetja e tyre për demokracinë bie në vetëm një në tre.
Studimi u zhvillua në prill dhe maj. Më shumë se 6,700 persona të moshës 16 deri në 26 vjeç në Britani, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Greqi dhe Poloni iu përgjigjën sondazhit institutit YouGov për Fondacionin Tui, i cili financon projekte të dedikuara për të rinjtë në Evropë.
Dyzet e tetë për qind shqetësohen se sistemi demokratik në vendin e tyre është i rrezikuar, përfshirë 61% në Gjermani, si ekonomia – më e madhe në Evropë – e cila është në vështirësi dhe ku e djathta ekstreme ka shënuar përparime të konsiderueshme, pjesërisht për shkak të mbështetjes së shtuar nga votuesit e rinj.
Polarizimi në rritje po i shtyn gjithashtu të rinjtë evropianë drejt ekstremeve ideologjike. Ndërkohë, studimi ka gjetur se po ashtu se të rinjtë evropianë janë duke kërkuar masat më të ashpra kundër migracionit. Kjo përqindje ka ndryshuar nga 26 për qind në vitin 2021 në 38 për qind aktualisht.
Paralelisht me këto trende është shtuar edhe dëshpërimi në rolin global të Bashkimit Evropian. Rikthimi presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, ngritja e Kinës si dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, sipas një pjesë të mirë të të anketuarave e kanë margjinalizuar edhe më shumë peshën globale të BE-së, ndonëse 42 për qind e e tyre ende e konsiderojnë Unionin si një nga tre lojtarët kryesorë globalë.
Sidoqoftë, ky zhgënjim mbi potencialet e këtij sistemi nuk duhet përjashtuar që është edhe pasojë luftës subversive të Rusisë për të minuar sa më shumë që të jetë e mundur besimin e qytetarëve evropianë në vlerat demokratike. Kohë më parë mediumi i njohur gjerman DW në dokumentarin “Putin’s silent war – Hybrid attacks in Europe” dëshmonte se si me anë të metodave hibride, lideri rus i është vënë gjahut për ta minuar funksionimin e këtij sistemi politik.
Qëllimet e kësaj fushate, ishin proklamuar në vitin 2024 nga Dimitri Medvedev, i cili në mediumin Telgeram, kishte deklaruar se Rusia, duhet që të ta kthejë jetën e qytetarëve të perëndimit në një ankth të përhershëm derisa ata nuk do të jenë në gjendje ta dallojnë “trillimin nga realiteti”, apo të mos jenë në gjendje ta specifikojnë diferencën ndërmjet asaj që është e drejtë dhe gabim. Synimi final i këtij projekti mbetet pikërisht rritja e pesimizmit të qytetarëve perëndimor në demokracinë
Mbase janë sulme të kësaj natyre që kanë ndikuar që gjithnjë e më shumë “demokracia sot të gjendet nën presion, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë” /TV ARBËRIA