Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Shtohen thirrjet perëndimore për rifillim të dialogut në mes të shqetësimeve për shtimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor

Shtohen thirrjet perëndimore për rifillim të dialogut në mes të shqetësimeve për shtimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjithnjë e më shumë po shtohen zërat ndërkombëtarë për një rifillim urgjent të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Duke filluar që nga vizita e para pak ditëve e Sekretarit të NATOS-së në rajon, Mark Rutte, e pasuar nga ajo e të emëruarit të posaçëm të Brukselit për dialogun, diplomatin danez, Peter Sorensen, si dhe Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka dominuar e njëjta kërkesë, sa më shpejt që palët të rikthehen në tavolinën e bisedimeve. Dhe se të gjithë janë pritje të formimit urgjent të institucioneve të reja të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit me qëllim që të shtyhet kjo agjendë. Një dëshmi kjo se edhe Qeverinë e re të Kosovës, pavarësisht se nga kush do ta drejtohet, do ta presin detyrimet e vjetra,  edhe përkundër faktit se secila prej partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e sapombajtura parlamentare ishte angazhuar për ta margjinalizuar sa më shumë që të jetë e mundur këtë temë.

Domosdoshmërinë e rifillimit të këtij procesi e shprehu edhe shefja e Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Fillimisht, ajo deklaroi se janë duke i shqyrtuat opsionet që përpos dialogut të mendohet edhe ndonjë mjet tjetër se si do të mund të kontribuonte në drejtim të normalizimit ndërmjet dy vendeve, kurse në ndërkohë nuk ka la pa shtuar se janë duke i analizuar gabimet që kanë ndodhur “në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë” e që kanë ndikuar në stagimin e tij. Kurse Parlamenti Evropian ka kërkuar largimin e masave sanksionuese ndaj Kosovës, me argumentin se të njëjtat janë në kundërshtim me aspiratat euro-atlantike të Prishtinës dhe po ashtu po e dëmtojnë vetë avancimin e dialogut. Një dëshmi mbase kjo e njërit prej gabimeve të Brukselit për shkak të qasjes asimetrike ndaj dy vendeve.

Sidoqoftë, ky insistim ndërkombëtar madje edhe me thirrje për hapjen e një kapitulli të ri të dialogut, sikur ajo e raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, po shtohet edhe në mes të shqetësimeve për përkeqësim gjithnjë e më të madh të situatës së sigurisë në rajon për shkak të ndikimit rus.

Vetë Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy gjatë një interviste për mediumin Politico ka shprehur alarmin e tij për këtë skenar. Zakonisht, Bosnja dhe Kosova po konsiderohen si dy nga vatrat më të nxehta politike, ku do të mund të gjenin shprehje planet subversive të Kremlinit, me qëllim për ta zhvendosur vëmendjen ndërkombëtare nga lufta në Ukrainë. Madje në rastin e parë, tensionet janë shtuar në kulm për shkak veprimeve separatiste të liderit serb Milorad Dodik. I njëjti deri më tani i është shmangur fletarrestimit të lëshuar nga Gjykata në këtë shtet, për shkak mos përfilljes së vendimeve federale, si dhe pas këtij urdhri u takua me Vuqivn në Serbi dhe me Putinin në Moskë

Kurse Serbia akuzon Kosovën për shtypjen e minoritetit të saj serb, ndërsa Kosova akuzon Serbinë për sulme brenda territorit të saj.

Ndërkohë çdo eskalim i situatës në Bosnje, siç shkruan Ismet Fatih Cancar në artikullin “ How Bosnia Could Break Europe-The Return of Serbian Nationalism Could Start Another War on the Continent”, do të ishte me pasoja fatale jo vetëm për rajonin, por edhe për kontinentin si për shkak të vazhdimit të luftës në Ukrainë dhe paqartësive që janë krijuar në mes të Uashingtonit dhe Brukeslit. Nuk ka asnjë shans që ky i fundit ta menaxhojë një skenar të tillë apokaliptik.  Ndonëse, sa i përket planeve për minim të marrëveshjes së Dejtonit, nuk la pa reaguar në mënyrë të ashpër, personalisht edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Në këtë klimë gjithnjë e më fragjile duhet kuptuar edhe këtë ripërkushtim perëndimor për dialogun Kosovë-Serbi. Progresi në të njëjtin, për një kohë të gjatë ishte parë si një parakusht për integrimin e dy vendeve në strukturat euro-atlantike. Në këtë kontekst, dihet hapur  se Serbia mbetet trampolinë e agjendës së kaosit të inauguruar nga Kremlini. Prandaj, interesat e Kosovës përputhen plotësisht me ato perëndimore për ta minuar këtë ndikim. Një shenjë pozitive kjo.

Mirëpo, krahas kësaj përparësie asgjë nuk është e garantuar. Sepse apetitet e perëndimit për ta joshur me çdo kusht Beogradin në orbitën e tij dhe për ta larguar nga lidhet simbiotike me Rusinë shpeshherë janë ndjekur në dëm të proceseve rajonale. Shembull mund të merren sulmet agresive të kësaj fundit në raport me Kosovën. Sidomos ai i 24 shtatorit të vitit 2023 në fshatin Banjë, ku mbeti i vrarë polici hero, Afrim Bunjaku. Sipas mediumit në fjalë, tashmë shumica e diplomatëve britanikë e pranojnë privatisht se Serbia qëndron prapa atij ataku terrorist dhe paramilimtar. Mirëpo, njëjta e kaloi pa pasoja ndërkombëtare atë agresion. E tëra kjo me shpresën se duke e mikluar regjimin e Aleksandër Vuciq-it mund ta largojnë nga Rusia. Madje shtetet perëndimore këtë shpresë e kishin bazuar në mesazhet private të Vuçiq-it, se si  “po përpiqet për ta ofruar shtetin e tij rebel me Bashkimin Evropian ku edhe e ka vendin dhe se ai është partneri i tyre i vetëm dhe i besueshëm. Kështu, në një artikull të mëhershëm, mediumi i njohur amerikan Washington Post, shkruante se si edhe administrata Biden e kishte bazuar politikën e saj pajtuese në testimin e garancive private të presidentit Vuçiq. Kurse, disa kriza të rrezikshme, sikur ajo në fshatin Banjë,  kanë pasur gjurmë gishtash të Serbisë megjithatë, Shtetet e Bashkuara e kanë shmangur fajësimin e tepërt të njërës palë, duke preferuar të bëjnë thirrje për qetësi për të dyja palët.

Rrjedhimisht nëse ka diçka që është imperative të ndryshohet në këtë proces, nuk ka dyshim se mbetet edhe kjo qasje balancuese perëndimore. Sepse e njëjta nuk e ka evropianizuar dhe demokratizuar Serbinë. Përkundrazi, e ka përkeqësuar. /TV Arbëria