Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Shteti post-sekular” i bektashizmit shqiptar

“Shteti post-sekular” i bektashizmit shqiptar

Shkruan: Afrim Kasolli

Shumë kush ka mbetur i habitur dhe i befasuar nga ideja e papritur e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për themelimin e një shteti bektashi në qendër të Tiranës. Është thënë se ai do të ndërtohet sipas modelit të shtetit të Vatikanit, si epiqendër e besimtarëve të krishterë , apo edhe sipas Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, një shteti ky në të vërtetë pa territor, me përjashtim të dy ndërtesave që kanë status ekstra-territorial në Romë . Madje, para pak ditë këtë shtet e vizitoi edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë , Bajram Begaj.

Kështu, duke qenë se kryegjyshata botërore e bektashizmit ndodhet në Shqipëri, që nga koha e Ahmet Zogut, pasi të njëjtit u dëbuan nga Republika e Turqisë , në kohën e Kemal Ataturukut, atëherë mbartësit e kësaj frymë (sekti) fetar u zhvendosen në territorin shqiptar. Atëherë sipas të parit të Qeverisë së shtetit shqiptar, mbase ka ardhur koha që kjo prezencë të legalizohet edhe në formën e një “entiteti të brendshëm shtetëror”, sidomos kur merret parasysh edhe kontributi i kësaj lëvizje fetare në ngjizjen e nacionalizmit shqiptar. Sepse në dallim nga pjesëtarët e përkatësive të tjera fetare që historikisht kanë qenë të lidhura me instanca shpirtërore dhe politike universale, “sikur të krishterët me Papatin, ortodoksë t me Kishën Ortodokse Greke”, derisa Fan Noli e themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare, dhe ata të “besimit islam Suni me Sulltanin si Kalif”, vetëm bektashinjtë nuk kishin një qendër të tillë sipërore, por kjo është një temë që kërkon një trajtim tjetër .

Sidoqoftë , është në “natyrën” politike të Edi Ramës që kohë pas kohe të shkaktojë tërmete publike. Prandaj, edhe ky propozim nuk mund të kalonte ndryshe. Kishte të atillë që nuk nguruan ta shohin atë si fryt të konspiracioneve politike që u gatua në prapaskenat e errëta të “salloneve” tw nëntokës se errët me presidentin e Serbisë , Aleksandër Vuciq, me qëllim që shteti bektashi të përdoret si pretekst për legalizimin e autonomisë së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Prandaj, propozimi i Edi Ramës, nuk është asgjë tjetër, pos edhe një episod në mesin e serisë së tradhtive të tij kombëtare. Këto sulme zakonisht, kanë ardhur nga eksponentë dhe militantë të Albin Kurtit, mbase edhe për të sajuar justifikim, pikërisht për faktin se drejtuesi i tyre tashmë është pajtuar për një gjë të tillë me Marrëveshjen bazike të Brukselit. Kështu u themelua e nuk u themelua shteti bektashi shqiptar, Kisha Ortodokse Serbe do ta gëzojë atë status, sepse Kosova ka marr obligim ndërkombëtare për ta zbatuar. Ndërkohë , vullnetin dhe devotshmërinë ndaj kësaj marrëveshje, e konfirmoi hiç me larg se dje, i pari i Qeverisë së Kosovës në takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Ljacak, si dhe të Ndihmës Sekretarin amerikan për Euro-Azi, James O’Brein. Kurse, një grup tjetër, në këtë nismë “zbuluan” në përpjekje për ta bastardizuar vlerat sublime fetare me qëllim shndërrimin e tyre në parajsë fiskale për shpërlajë të parave të fituara nga aktivitete kriminale.

Ndërkohë , nuk munguan as vlerësimet se kjo ide është anakronike dhe se bie në antinomi me tendencën historike të progresit shkencor, e cila është farkëtuar që nga koha Iluminizmit. Në këtë mënyrë Edi Rama, po tenton ta shtrojë rrugën e rikthimit të mentalitetit mesjetar dhe kështu ta mbjell farën e rilulëzimit të mentalitet dogmatik. Profecia shekullare se njerëzimi pashmangshëm në një të ardhme do të jetojë nën parajsën e shkencës, emancipimit individual dhe kolektiv, ka qenë në epiqendër të projektit modern gjatë këtyre shekujve.

Mirëpo, si e tillë edhe kjo ka prodhuar jo pak pasoja. Konsekuencat e kësaj paradigme i kanë hetuar dy nga përfaqësuesit më të njohur të Shkollës Kritike të Frankfurtit, Max Horkheimer dhe Theodro W. Adorno. Në librin e tyre emblematik “Dialektika e Iluminizmit”, ata kanë pohuar se projekti iluminist në kuptimin më të gjerë përparimtar, ka patur si qëllim t’iu largojë frikën njerëzve dhe t’i trajtojë ata si zotër. Por toka plotësisht e iluminuar, filloi të rrezatonte sinjale të një katastrofe kumbuese. Kurse George Steiner, në librin e tij “Nostalgjia për Absoluten” (Nostalgia for the Absolute), ka treguar se si bjerrja e besimit në autoritetet tradicionale absolute është kompensuar me mitologjitë alternative të marksizmit, psikologjisë freudiane, antropologjisë së Lévi-Strauss-it si dhe të iracionalitetit politik. Ndërkaq, kohën e fundit kemi qenë dëshmitar të rigjallërimit të sentimenteve fetare përkundër këtij përparimi enorm shkencor, teknologjik. Dhe atë në të gjitha religjionet dhe atë mjerisht edhe në forma të fundamentalizmit fanatik. Sepse, ky i fundit po shndërrohet në ngushëllim për mungesën e kuptimit në një botë gjithnjë e më të atomizuar dhe fragmentarizuar. Madje, si i tillë ai është shndërruar jo pak herë edhe në armë ideologjike për mobilizim politik dhe burim të konflikteve gjithnjë e më tragjike.

Izraeli i tanishëm është shumë më i avancuar në aspektin shkencor se ai i para 40 viteve. Por sot gjithnjë më shumë në atë shoqëri është duke gjetur shtrat dhe duke lulëzuar një doktrinë fanatike mesianike neo-zaoniste e ekstremit të djathë . Prandaj, edhe sot nuk prodhohen liderë, sikur David Ben-Gurion, Golda Meir, Shimon Peres, Yitzhak Rabin etj. E njëjta gjë ka ndodhur në botën arabe. Ku vendin e nacionalizmit shekullar arab, gjithnjë e me shumë e ka zënë ekstremizmi fetar islamik. Ndërkaq, Rusia e Putinit, nuk është asgjë tjetër, pos një amallgam tipike e ortdoksizimit fanatik me synimet e imperializmit rus. E të mos flasim edhe shfrytëzimin e rrymave evangjelike fetare ne SHBA-, sidomos nga Doanl Trump-i për përfitime elektorale.

Këtë zbehje të shekullarizimit në raport me religjionin e ka pranuar edhe njëri nga mendimtarët me të dalluar në filozofinë gjermane, Jurgen Habermas, gjatë elaborimit te pandehmave mbi post-sekularizmin. Sipas tij, teza liberale e sekularizmit që e ndan religjionin, me pretendimin se ky i fundit do të bëhet i pavlerë për t’u zëvendësuar nga shkenca, politika dhe logjika administrative ka pësuar çarje. Prandaj edhe kemi një rinovim të tij, por që fatkeqësisht po e merr formën e ekstremizmit. Me qëllim që të shmangen këto agravime fatale, mendimtari gjerman, e propozon modelin shoqëror të post-sekularzimit, ku si njerëzit religjiozë dhe ata sekularë, nuk duhet të përjashtojnë njëri-tjetrin, por të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të bashkëjetojnë me tolerancë.

Në këtë kontekst, fryma e bektashizmit për shkak të natyrës së tij ekumenike mund të jap një kontribut. Duke qenë se ajo është e shtrirë në masë të madhe te shqiptarët, mbase Edi Rama nëpërmjet afirmimit të saj ka mëtuar t’i jap peshë globale dhe me këtë edhe shqiptarisë si shembull shoqëror i se ardhmes. Por se çfarë forme konkrete duhet ta ketë ky “shtet”, si “principatë” “njësi feudale” apo variante të tjera, i tejkalon caqet e këtij shkrimi.

Powered by WordPress