Pas disa vonesave dhe disa pengesave, përfshirë një numër më të vogël grash sesa më parë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 17 shtator prezantoi ekipin e saj të ri të Komisionit Evropian për pesë vjetët e ardhshëm.
Le ta themi kështu: Fituesit e mëdhenj janë shtetet baltike dhe Polonia, të cilat marrin pozicione të fuqishme; shtetet e tjera qendrore dhe lindore, jo aq shumë, shkruan Radio Evropa e Lire.
Është e qartë se vendet Baltike janë të afërta me Von der Leyen. Sigurisht, tashmë e dinim që ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, është shefe e politikës së jashtme të BE-së. Veterani nga Letonia, Valdis Dombrovskis, mori portofolin e rëndë të ekonomisë me gjithë thashethemet e vazhdueshme se ai do të merrej me zgjerimin në vitet e ardhshme.
Ish-kryeministri i Lituanisë, Andrius Kubilius, u zgjodh për portofolin e sapokrijuar për mbrojtje. Ky rol mund të jetë bosh nëse nuk ka fonde të BE-së për mbrojtje. Brukseli ka treguar interes për të rritur industrinë e mbrojtjes së kontinentit, veçanërisht me luftën e vazhdueshme në Ukrainë, por pyetja është nëse shtetet anëtare janë vërtet të interesuara për këtë. Ka shumë kampionë kombëtarë në këtë fushë, por pak evropianë, dhe është e dyshimtë nëse kjo do të ndryshojë në vitet e ardhshme. Së fundmi, Piotr Serafim, dora e djathtë e kryeministrit polak Donald Tusk, do ta ketë në dorë buxhetin. Pra, deri më tani, është mjaft mbresëlënëse.
Por, pastaj, është qartazi një prirje perëndimore në bllok. Spanja do të jetë përgjegjëse për tregun e brendshëm të BE-së, Franca për strategjinë industriale, Irlanda mori drejtësinë, Luksemburgu portofolin fitimprurës të bujqësisë dhe Italia politikën e kohezionit – një burim i madh parash të BE-së ku paratë transferohen nga rajonet më të pasura tek ato më të varfra të klubit. Austria, e cila po anon gjithnjë e më shumë djathtas, mori çështjet e migracionit – një shenjë e vërtetë e kohës.
Sigurisht, kandidatja rumune, Roxana Minzatu, është një nga gjashtë nënkryetaret ekzekutive. Kjo është e rëndësishme, por fusha e saj janë “njerëzit, aftësitë dhe përgatitjet”, një koncept mjaft i paqartë. Von der Leyen theksoi se ajo do të jetë përgjegjëse për arsimin dhe të drejtat sociale – çështje që kryesisht bien brenda kompetencave të qeverive kombëtare, jo të Brukselit.
Kandidatja bullgare, Ekaterina Zaharieva, do të merret me kërkimin dhe inovacionin – një tjetër fushë në të cilën BE-ja është mjaft e ndrojtur dhe hungarezi Oliver Varhelyi do të merret me shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, diçka që është bërë më e rëndësishme në skenën evropiane, veçanërisht pas COVID-it, por që ende nuk është shumë e fuqishme. Flitet se të dy këta mund të rrezikojnë të shkarkohen, pasi Parlamenti Evropian së shpejti do të fillojë me dëgjimet e kandidatëve dhe ka të ngjarë të eliminojë të paktën disa.
Sllovakia mori tregtinë në një epokë të proteksionizmit të shtuar, Çekia ka një “partneritet ndërkombëtar”, për të cilin askush nuk di se çfarë nënkupton, dhe Kroacia është përgjegjëse për Fqinjësinë e Jugut – me fjalë të tjera, vendet në Afrikën e Veriut që nuk mund të jenë anëtare të BE-së, por që blloku dëshiron të arrijë marrëveshje për të parandaluar emigracionin në klub.
Po zgjerimi? Kjo fushë prek shumë në Ballkanin Perëndimor, si dhe vendet kandidate në lindje si Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina. Zgjerimi ishte supozuar të ishte një nga prioritetet e kësaj përbërjeje të Komisionit Evropian. Kjo i shkoi Sllovenisë dhe Marta Kosit, kandidatja e vetme e komisionit që ende nuk është konfirmuar nga kryeqyteti i saj, pasi opozita në Lubjanë e ka shtyrë çështjen pasi janë të zemëruar që kandidati i parë slloven, Tomaz Vesel, u largua nga Von der Leyen ndërsa ajo kërkonte më shumë gra në ekipin e saj.
Ky nuk është një miratim i fuqishëm për zgjerimin si një politikë, dhe unë e kuptoj që Ukraina dhe Moldavia po shpresonin për dikë të profilit pak më të lartë dhe mundësisht nga vendet baltike më miqësore. Ajo, gjithashtu, do të jetë përgjegjëse për fqinjësinë lindore, që do të thotë Azerbajxhani, Armenia dhe Bjellorusia. Pyetja është sa kohë do t’i mbetet për këtë treshe.
Duke ardhur nga ish-Jugosllavia, duket e qartë se Marta Kos do të fokusohet në Ballkanin Perëndimor.
Dhe në një mënyrë, kjo ka kuptim të plotë pasi shumë nga vendet atje aktualisht kanë avancuar më shumë sesa Ukraina dhe Moldavia në rrugën e tyre drejt BE-së dhe ato janë ndier paksa të anashkaluara nga Brukseli në vitet e fundit. Ajo ka të ngjarë të mos jetë aq kontroverse sa komisionari aktual hungarez për zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili qartazi ka vënë një vulë shumë hungareze në këtë rol. Por, përsëri duket se zgjerimi nuk është në krye të agjendës në Bruksel për vitet që vijnë./REL