Anëtaret e NATO-s, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia, do të kërkojnë fonde nga Bashkimi Evropian për ta ndërtuar një rrjet bunkerësh, barrierash, linjash furnizimi dhe magazina ushtarake përgjatë kufijve të tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë, thanë të shtunën zyrtarët e Estonisë.
Tri vendet baltike fillimisht njoftuan planin për një “Linjë të Mbrojtjes Baltike” në janar.
Në maj, Polonia njoftoi një projekt të ngjashëm të quajtur “Mburoja Lindore” me qëllim për t’i forcuar kufijtë e saj me enklavën ruse të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë.
“Nevoja për një linjë të mbrojtjes (baltike) buron nga situata e sigurisë dhe mbështet konceptin e ri të mbrojtjes të NATO-s”, tha në një deklaratë ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, duke shtuar se “është jashtëzakonisht e rëndësishme t’ bashkërëndojmë aktivitetet tona me Poloninë”.
“Në të njëjtën kohë, e forcon sigurinë e Bashkimit Evropian dhe mbrojtjen ushtarake të kufijve të tij, prandaj ne mendojmë se edhe BE-ja mund ta mbështesë financiarisht këtë projekt”, tha ai.
Ministrat e mbrojtjes së katër vendeve evropiane të vendosura në krahun lindor të NATO-s u takuan të premten në qytetin juglindor të Letonisë, Daugavpils, për të diskutuar financimin e projektit.
Ata nuk shpjeguan se sa shumë ndihmë financiare do t’i kërkonin Brukselit për këtë projekt, por theksuan në një deklaratë të përbashkët se “Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar se krijimi i pengesave fizike në një terren të hapur pa mburojë mbrojtëse natyrore, është parësore edhe në luftën e përparuar teknologjike”.
Ministrat thanë se kërcënimet e jashtme në kufirin baltiko-polak po rriten, prandaj ngritja e fortifikatave përgjatë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë “mbetet prioritet i lartë duke kontribuuar në premtimin tonë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit (të NATO-s)”./REL/