Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Shtatë muaj pa institucione: Ekonomia në krizë, kur pritet të ndodhë ‘mrekullia’ e formimit të qeverisë?

Shtatë muaj pa institucione: Ekonomia në krizë, kur pritet të ndodhë ‘mrekullia’ e formimit të qeverisë?

Kosova tash e shtatë muaj pa institucione të konstituuara.

Deputetët e votuar nga qytetarët në zgjedhjet e 9 shkurtit, që nga muaji mars, kur u publikuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja, nuk po mund të gjejnë kompromis për të formuar qeverinë e Kosovës.

Fillimisht, emri i Albulena Haxhiut ishte “bllokuesi” për muaj të tërë, ku partitë PDK, LDK dhe AAK nuk e votonin këtë emër për kryeparlamentare.

Pastaj, disa emra të tjerë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje ishin Donika Gërvalla, Arbërie Nagavci dhe Hekuran Murati, por asnjë nga tentativat nuk ishte e suksesshme.

Deri në propozimin më të fundit të Dimal Bashës, ku si rezultat i votimit pro nga Partia Demokratike e Kosovës mori votat dhe u zgjodh kryeparlamentari i Kuvendit.

Por ngërci tjetër filloi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë në Kuvend. Propozimet për këtë post nga Lista Serbe, asnjë nuk u votua nga shumica në Kuvend, përveç deputetit Nenad Rasiq, që u votua nga LVV-ja, por që nuk mjaftuan votat për t’u bërë nënkryetar.

Kjo çështje shkoi edhe në Gjykatën Kushtetuese, ku së fundmi u publikua aktgjykimi nga Kushtetuesja, ku tha se afati që konstituimi i plotë të ndodh brenda 12 ditëve, shkruan TV Arbëria.

Pasojat për Kosovën, çka humbi vendi për shtatë muaj?

Në lidhje me këtë çështje dhe pasojat e vendit në aspektin e ekonomisë, për TV Arbëria ka folur njohësi i kësaj fushe, Safet Gërxhaliu, ku thotë se mos konstituimi i Kuvendit sjell pasoja për vendin në shumë dimensione.

“Të gjitha këto sfida burimin e kanë nga mungesa e stabilitetit politik, për vet faktin që kemi një mungesë të institucioneve. Nuk ka shpresë se a do të krijohen, qoftë të kompletohet Parlamenti i Republikës së Kosovës, qoftë një qeveri funksionale. Kjo është një brengë që e rëndon aktualitetin kosovar në shumë dimensione. Kemi krijuar një situatë që nuk e dëmton Kosovën vetëm në aktualitetin politik, nuk e dëmton vetëm në aspektin ekonomik dhe integrues, por edhe në aspektin psikologjik, sepse qytetarët janë vërtetë të zhgënjyer dhe nuk shohin shpresë në të ardhmen”, ka thënë Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka potencuar tutje se fakti që Kosova është akoma nën sanksione e rëndon edhe më shumë situatën ekonomike, pasi që shumë fonde janë ndërprerë si pasojë e sanksioneve.

“Fakti që kemi edhe sanksione nga Bashkimi Evropian, kjo e dëshmon më së miri mjerimin diplomatik që e ka kapluar Kosovën. Nuk kemi diplomaci aktive që të ndikojë në heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, dhe fakti që kemi grante dhe mjete ndihmash të destinuara për Kosovën, të projeksionuara nga komisione buxhetore evropiane e më gjerë, ato nuk mund të jenë në funksion të zhvillimit, falë mungesës së institucioneve të Kosovës. Ky është një dëm që vërtetë do të jetë barrë për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Gërxhaliu thekson se politikanët në Kosovë duhet të fokusohen më shumë në përmirësimin e imazhit të Kosovës.

“Prandaj, në këtë drejtim besoj që është obligim moral që politikanët në Kosovë të luftojnë më tepër për shtetin dhe qytetarët dhe jo vetëm për pushtete, të luftojnë edhe për përmirësimin e imazhit të Kosovës, por mbi të gjitha për një normalizim të stabilitetit ekonomik dhe social të Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas ekonomistit, Kosova është duke përjetuar “inflacion të heshtur”.

“Sot e kemi një inflacion që më të vërtetë po e rëndon më së shumti shtresën e mesme dhe të varfër, dhe vet fakti që jemi shndërruar në një shtet të varur nga importi dhe jo një shtet që eksporton. Kosova është duke importuar inflacion të heshtur, dhe krejt kësaj kur i shtohet fakti që kemi paga të ngrira në gjithë sektorin privat, qoftë atë publik, me të vërtetë të jetuarit në Kosovë është vështirësuar. Prandaj, është koha kur duhet të kemi institucione në funksion të shtetit dhe qytetarëve. Është koha kur duhet të fuqizohet partneriteti me miqtë ndërkombëtarë dhe zhvillimi ekonomik të jetë prioritet i prioriteteve dhe jo gjithmonë politika dhe agjenda politike në interes të pushtetit dhe jo në interes të qytetarëve”, ka thënë ekonomisti Gërxhaliu.

Kur mund të ketë konstituim të institucioneve?

Analisti Blerim Burjani në një prononcim për TV Arbëria ka theksuar se qeveria e Kosovës mund të formohet vetëm nëse gjejnë kompromis partitë politike mes vete.

Sipas tij, pritet një koalicion nga VV-ja me njërën nga partitë politike. Analisti thotë se afatet kushtetuese kanë kaluar, por është vendosur një i ri për t’i dhënë mundësi konstituimit të Kuvendit.

“Konstituim mund të ketë, po qe se vetëm një nga tre partitë opozitare bëjnë kompromis politik dhe në radhë të parë gjejnë model të votimit individual për përfaqësuesin serb në Kuvend, në Kryesi. Po qe se kjo ndodh në këtë kohë që ka mbetur, mendoj se misioni kushtetues i formimit të institucioneve bëhet real, pra i mundshëm. Unë pres marrëveshje, ndoshta, në mes VV dhe një apo dy nga partitë politike opozitare për të zgjidhur ngërçin. Nëse edhe për këtë periudhë kohore të mbetur nuk ka zgjidhje, kjo do të thotë se do të ketë pajtueshmëri të partive pozitive dhe opozitare për të shkuar në zgjedhje në janar, diku më 20 janar, në zgjedhje të jashtëzakonshme. Skenari mund të jetë ky. Afati kushtetues ka kaluar, por Gjykata ka vendosur afate për të ruajtur mundësinë për formimin e institucioneve”. /TV Arbëria