Organizata Shqiptaria shpreh shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj vendimit për dënimin e qytetarit Dijamant Zeqiri lidhur me ngjarjen e ndodhur në Mitrovicë.
Sipas kësaj organizate, mbrojtja e rendit juridik dhe e qetësisë publike është detyrim i shtetit, por njëkohësisht institucionet duhet të bëjnë dallim të qartë mes aktit simbolik të protestës politike dhe veprave që prodhojnë urrejtje, dhunë apo përçarje mes qytetarëve.
Në reagim theksohet se, nëse një qytetar ka reaguar ndaj asaj që e percepton si imponim kulturor, identitar apo fetar në hapësirën publike të Kosovës, përgjigjja e institucioneve nuk duhet të jetë kriminalizimi i pakënaqësisë qytetare, por adresimi i shkaqeve që e prodhojnë atë.
Po ashtu, thuhet se Turqia e sotme nuk është Perandoria Osmane dhe si shtet mik meriton respekt institucional, por njëkohësisht Kosova meriton respekt të plotë për identitetin e saj kombëtar, kulturor dhe karakterin laik të shtetit. Sipas organizatës, miqësia ndërtohet mbi respekt reciprok, jo mbi ndjesinë e imponimit kulturor apo fetar.
Organizata Shqiptaria vlerëson se Kosova nuk ka nevojë për tensione të importuara identitare dhe se hapësira publike duhet të mbetet në shërbim të qytetarëve të saj. Çdo ndikim i jashtëm duhet të jetë në harmoni me vullnetin dhe interesin publik të Republikës së Kosovës.
Në fund, organizata thekson se mbron të drejtën për kundërshtim qytetar dhe shprehje politike brenda rendit demokratik, ndërsa kundërshton çdo formë dhune apo nxitjeje të urrejtjes.