Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut s’mund të kurbanizohen pafundësisht

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut s’mund të kurbanizohen pafundësisht

Përpjekjet e Rusisë, Kinës dhe aleatëve të tyre s’rreshtin së synuari për të sjellë në pushtet nëpër vende të ndryshme qeverira antiperëndimore, e sidomos antiamerikane. Këtë synim kanë shtetet e lartëpërmendura që në glob të ofrohen si alternativë e Perëndimit të drejtuar nga SHBA. Kapja e spiunëve rusë së fundmi në Gjermani flet më së miri për përpjekjet e Rusisë me aleatë të saj që ta minojnë demokracinë në Evropë e sidomos tani para zgjedhjeve në BE.
Këtë shqetësim mbi veprimet destruktive ruse e ndajnë shumë raporte e qarqe perëndimore. E përpjekjet për ta sjellë VMRO-në në pushtet në Maqedoni të Veriut janë rend-ditë antiperëndimore dhe rrjedhimisht antishqiptare.
Ashtu siç Rusia (që po kontrollonte gjithnjë e më shumë evropianët nga 2000-2022) ia kishte dalë ta godiste luftën e lavdishme çlirimtare të UÇK-së duke eliminuar politikisht Krerët e saj përmes dërgimit të tyre në Speciale në Hagë, ngjashëm po mundohet t’i eliminojë politikisht edhe njerëzit kryesorë që i prinë luftës shqiptare në Maqedoni të Veriut.
Fakti që së fundmi një eksponente e VMRO-së kërkon hapur Tribunal Ndërkombëtar kundër krahut shqiptar të luftës në Maqedoni të Veriut gjoja për “krime” të pretenduara lufte, flet shumë për synimet ruse në Ballkan Perëndimor e sidomos në Maqedoni të Veriut që po ecën nëpër teh të shpatës mes Perëndimit dhe Rusisë.
Rusia s’mund t’ia falë kurrë UÇK-së në Kosovë e Maqedoni të Veriut kursin euroatlantik, sepse ishte pikërisht UÇK ajo që në bashkëpunim me Perëndimin e nxori Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut nga kthetrat e Rusisë dhe Serbisë. Nuk mund ta gëlltisë asesi Rusia këtë fitore të madhe të SHBA-së në Ballkan Perëndimor me shqiptarët faktorë. Prandaj, tanimë përmes VMRO-së po mundohet t’i përmbysë të gjitha të arriturat e Perëndimit. E pa u eliminuar politikisht krahu shqiptar i luftës atje është e pamundur të zbatohet rend-dita ruse antishqiptare, rrjedhimisht antiamerikane.
Por, shqiptarët s’mund të kurbanizohen pafundësisht për hir të stabilitetit të Maqedonisë së Veriut për ta mbajtur këtë shtet në kurs perëndimor. Mjaft u kurbanizuan shqiptarët në 2001 dhe në Kumanovë në 2015. Përmes këtyre dy ngjarjeve shqiptarët i dhanë dy mesazhe botës, që Maqedonia e Veriut ose do të mbajë kurs perëndimor me shqiptarët atje si kombformues, ose do të shpërbëhet tërësisht dhe shqiptarët do të marrin hisen e tyre.
Prandaj, çfarëdo përpjekje ruse që përmes VMRO-së të shtyjë rend-ditë antishqiptare përmes eliminimit politik të krahut shqiptar të luftës atje, pashmangshëm që do ta sjellë në pikëpyetje vetë të ardhmen e përbashkët sllavomaqedonase e shqiptare si dhe do ta minojë të ardhmen euroatlantike të këtij vendi me demokraci ende të brishtë.
Shqiptarët nuk do të lejojnë më që për hir të stabilitetit dhe të ardhmes euroatlantike të këtij shteti të kurbanizohen pafundësisht. Prandaj, çdo mbështetje shqiptare ndaj VMRO-së kudoqoftë ajo hapur çon ujë në Serbi e Rusi dhe aleatë të tyre. Shqiptarët e kanë jetike të ngelen të rreshtuar përkrah SHBA-së. Çdo devijim nga ky kurs do të ishte fatal. Maqedonia e Veriut ka të ardhme vetëm duke vazhduar bashkë me shqiptarët kursin euroatlantik. Çdo rrugë tjetër do të thotë fund për këtë shtet./Tv Abrëria/

Themes by WordPress