Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > “Shqipëria, vendi evropian që rezultoi më mirë në turizëm gjatë 2023”

“Shqipëria, vendi evropian që rezultoi më mirë në turizëm gjatë 2023”

Statistikat e medias italiane: Regjistroi 54 përqind më shumë netëqëndrime krahasuar me vitin 2022.

Të dhëna të reja nxjerrin në pah suksesin e Shqipërisë në turizëm gjatë vitit 2023. Këtë herë vendi ynë është vlerësuar nga gazeta italiane Pagella Politica, e cila merret me verifikimin e fakteve dhe analizën e ngjarjeve.

Sipas kësaj medie, e cila i referohet edhe statistikave të Eurostat, “Vitin e kaluar, vendi evropian që rezultoi më mirë sa i përket shifrave të turizmit ishte Shqipëria, e cila shënoi një rritje prej 54 për qind të fjetjeve krahasuar me vitin 2022”.

Kjo shifër, thuhet më tej në artikull, u ndikua njësoj si nga turistët shqiptarë ashtu edhe nga ata të huaj, në veçanti italianët.

Të huajt pëlqejnë bregdetin e mrekullueshëm shqiptar, por jo vetëm. Historia, kultura, kulinaria dhe bukuria e natyrës në zonat malore janë gjithashtu ndër faktorët që turistët nga vende të ndryshme zgjedhin të vizitojnë.

Sipas të dhënave zyrtare të Shqipërisë, viti 2023 shënoi një rezultat historik për turizmin shqiptar. 10.1 milionë vizitorë të huaj zgjodhën vendin tonë, nga 7.5 milionë që ishin regjistruar në 2022. Vetëm në Dhjetor të 2023 vendi ynë u vizitua nga 617 mijë turistë, me një rritje prej 58% më shumë krahasuar me Dhjetorin e 2022.

Pas Shqipërisë në renditje sipas këtyre të dhënave qëndron, Qiproja e më pas vijnë Maqedonia e Veriut, Malta dhe Islanda që pësuan rritje midis 10 dhe 16 për qind. Sa i përket Italisë, vlerësohet se netëqëndrimet e turistëve u rritën për vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, por qëndruan në shifra më të ulëta krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid 19.

Sipas këtyre statistikave, vetëm për periudhën e verës së vitit që lamë pas Italia regjistroi 201 milionë netëqëndrime. Ndërsa në muajt qershor dhe gusht pati rënie krahasuar me 210 milionë netëqëndrime të regjistruara në të njëjtën periudhë të 2022. Shifra e vitit 2023 është gjithashtu më e ulët se ajo në vitet 2017, 2018 dhe 2019.

Ndërkaq në Evropën Jugore, Sllovenia dhe Kroacia shënuan një rënie të fjetjeve në vitin 2023 krahasuar me një vit më parë, por në një masë më të vogël se Italia. Greqia shënoi rritje prej 7.5 për qind, Portugalia 2.2 për qind dhe Spanja 0.8 për qind. Franca pati një rënie të netëqëndrimeve, ndonëse më pak se Italia, ashtu si edhe Gjermania. Megjithatë, pjesa më e madhe e Evropës Lindore rezultoi më mirë se një vit më parë.

Themes by WordPress