Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Shqipëria nuk është fajtore për gabimet strategjike të Kosovës

Shqipëria nuk është fajtore për gabimet strategjike të Kosovës

Shkruan: Agron Hoti

Shqipëria nuk ka faj që ne, si Kosovë, në emër të patriotizmit e kemi shndërruar debatin për Asociacionin (Zajednicën) në një rrëfim, ndërkohë që në praktikë po zbatojmë hap pas hapi një Autonominë (Samoupravnicën) funksionale në veri.
Shqipëria nuk ka faj që ne miratojmë ligje që mundësojnë kthimin masiv të serbëve në Kosovë. Nuk ka faj as që sovraniteti ynë në veri është dobësuar me kalimin e viteve, derisa sot Kosova nuk kontrollon pothuajse asgjë në veri.
Nuk është Shqipëria ajo që po zhvillon takime të fshehta me delegacione serbe, por institucionet e Kosovës që u zunë “me pelë për dore”. Nuk është Shqipëria ajo që ua njohu pronat kishave serbe, por Kosova përmes vendimeve të institucioneve të saj.
Ndërkohë, Shqipëria ka ndjekur një kurs të qartë transatlantik: është anëtare e NATO-s dhe po avancon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo po merr pjesë në samitet më të rëndësishme të NATO-s dhe BE-së, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet tërësisht jashtë këtyre forumeve.
Shqipëria ka hapur dyert për investimet dhe projektet strategjike amerikane. Kurse, Kosova, përpos që po i refuzon ato, po përpiqet ta eksportojë të njëjtën qasje edhe në Shqipëri.
Nuk është Shqipëria ajo që është vendosur nën sanksione perëndimore, por është Kosova si e vetmja në Evropë. Po ashtu, Shqipëria nuk është përzier në proceset zgjedhore të Kosovës, ndërsa nga Kosova ka pasur ndërhyrje dhe angazhim të drejtpërdrejtë në politikën shqiptare.
Nuk ishte Shqipëria ajo që e përçau dhe e dobësoi faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut; këtë e bëri Kosova me ndërhyrjet e saj të hapura në skenën politike të atjeshme.
Shqipëria, në çdo forum ndërkombëtar, i bën thirrje Serbisë, Rusisë dhe botës ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, eksponentë politikë nga Kosova shkojnë në Tiranë për të protestuar kundër investimeve amerikane dhe projekteve strategjike që mbështeten nga aleati ynë kryesor.
Dhe mbi të gjitha, nuk duhet harruar se gjatë luftës Shqipëria hapi dyert për shqiptarët e Kosovës, siguroi strehim, furnizime, korridore jetike dhe mbështetje të vazhdueshme. Për këtë arsye, është e padrejtë që sot përgjegjësitë për problemet tona t’ia faturojmë Tiranës, kur shumica e tyre burojnë nga vendimet dhe politikat tona totalisht të papërgjegjshme.
Prandaj, ne, Kosova, para se ta kërkojmë fajtorin në Shqipëri, duhet ta kemi guximin të përballemi me papërgjegjësitë tona që e kanë paralizuar Kosovën së brendshmi dhe së jashtmi dhe që po nxisin ikje të frikshme të rinisë për shkak të paperspektivës totale.