Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëria nënshkroi sot me SHBA investim $ 20 miliardë

Shqipëria nënshkroi sot me SHBA investim $ 20 miliardë

SHKRUAN: AGRON HOTI

Shqipëria nënshkroi sot investimin më të madh ndonjëherë në tokë të saj në vlerë $ 20 miliardë. SHBA do ta bëjë Portin e Vlorës qendër shpërndarjeje energjetike për Ballkanin Perëndimor, ashtu sikundër që do ta furnizojë Shqipërinë me gaz amerikan. Ky mega-investim përpos zhvillimit ekonomik do të jetë njëkohësisht edhe siguri kombëtare për Shqipërinë.

Përderisa Shqipëria dhe Evropa po lidhen çdo vit e më shumë me energjinë amerikane për t’i ikur me çdo kusht asaj ruse, Kosova, në anën tjetër, nga papërgjegjshmëria totale ka refuzuar çfarëdolloj energjie amerikane, ka përzënë investitorin amerikan Counter Global, për çfarë edhe është gjobitur nga Gjykata e Arbitrazhit me € 20 milionë, dhe krejt në fund ka mbetur – siç ka projektuar Serbia, Rusia – e varur nga mafia energjetike serbe që ka paralizuar ekonominë e Kosovës, duke nxitur kështu ikjen më të madhe në Evropë për kokë banori të rinisë dhe atyre pak profesionistëve që kemi pasur dhe që kanë ngelur në vend.

Pra, përderisa Shqipëria dhe Evropa po bëjnë çmos për të ikur nga varësia energjetike ruse duke u lidhur, kështu, me atë amerikane, Kosova ka zgjedhur të refuzojë energjinë amerikane para asaj serbe që bota e di që është e lidhur me atë ruse. Këtë refuzim amerikan po e bën ajo politikë e Kosovës, e cila sa ishte në opozitë refuzonte çdo gjë serbe, përfshirë mallrat dhe energjinë, kurse tash që është në pushtet është futur nën varësi pothuajse të plotë nga energjia serbe, ndërsa për hyrjen me vagona të mallrave serbe as që flet më. Më keq se kaq s’ka ku të shkojë puna për një vend si Kosova, i cili sa më shumë që po rri i varur nga energjia serbe, aq më frikshëm po shpopullohet, ku tashmë fshatra të tëra janë shkretuar.

Krahas paralizimit ekonomik, Kosova në vitet e fundit është paralizuar edhe politikisht duke u izoluar, kështu, nga SHBA dhe aleatët kryesorë të saj. Më kundër vetvetes dhe më mbrapsht, pakkush do të dinte të punonte sesa politika totalisht e papërgjegjshme e Kosovës. Në vend që Kosova të bashkërendonte bashkëpunimin energjetik me Shqipërinë, ajo ka thellluar hendekun jo vetëm me Shqipërine, por me të gjjtha trojet shqiptare. Pyetja që duhet shtruar është kjo: a s’janë të gjitha këto elemente të një sabotazhi që ka paralizuar Kosovën së brendshmi dhe së jashtmi?