Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëria me bazë ajrore të NATO-s

Shqipëria me bazë ajrore të NATO-s

Shkruan Agron Hoti: Shqipëria me bazë ajrore të NATO-s. Sot hapet zyrtarisht Baza Ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë. Me gjasë, në vitet që vijnë do të kemi edhe një bazë tjetër të NATO-s (atë logjistike) në Porto Romano të Durrësit, ku shteti shqiptar pritet të investojë mbi 1 miliardë EUR, nga ku pastaj do të niset dhe hekurudha Durrës-Prishtinë për të vazhduar pastaj deri në Nish të Serbisë.

Dy autostradat nga Prishtina për Shkup dhe Tiranë u bënë para se gjithash për sigurinë nacionale të Kosovës dhe vetë NATO-s që ruan Kosovën, në mënyrë që çfarëdo invazionit rus përmes Serbisë në Kosovë, NATO t’i përgjigjej me shpejtësi nga Adriatiku në Prishtinë. Prandaj, s’është fare e rastësisshme që këto autostrada moderne të Kosovës që në fakt janë në funksion të plotë të SHBA-së e NATO-s, u luftuan siç vazhdojnë të luftohen edhe sot me propagandë të ligë nga elementë që vazhdimisht kanë çuar ujë në Serbi e Rusi.

Ndërtimi i korridorit 8 ku Shqipëria po ndërton autostradën tjetër drejt Maqedonisë së Veriut prej nga ku kjo e fundit po bën pjesën e saj ashtu siç do ta kompletojë edhe Bullgaria pjesën e saj, është arteria tjetër e sigurisë së NATO-s nga Adritatiku në Detin e Zi për t’i dalë kështu përballë Rusisë, nëse jo edhe për t’i shtyrë kufijtë e NATO-s sa më në lindje pra sa më afër kufirit rus.

Asgjë s’ka ndryshuar nga historia. Fatet e popujve të vegjël gjithmonë dalin përmes dyerve të fuqive të mëdha. Dhe meqë populli shqiptar po jeton sot më mirë se gjatë tërë historisë së tij dhe kjo vetëm falë përcaktimit të tij kombëtar përkrah botës demokratike të kryesuar nga SHBA, atëherë padyshim që jemi me fat që po ndërtojmë baza NATO-je në tokë shqiptare e jo baza ruse siç bëmë në të kaluarën ku Shqipëria dhe tërë shqiptarët në Ballkan as bukë s’ngopeshin.

Shqipëria sot është duke u bërë faktori përcaktues i sigurisë së Ballkanit Perëndimor, ku përfitues janë dhe do të jenë të gjithë shqiptarët dhe vetë NATO. Deri para agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022 ky faktorizim i Shqipërisë do të kishte qenë i paparamendueshëm, ndërkohë që tashmë është bërë realitet. Siguria është gjithmonë e para, sepse pa siguri s’ka jetë.

/TV Arbëria