Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që merren me të drejtat e grave në Kosovë, thanë të premten se ato vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në jetën politike dhe publike në vend, ndërsa theksuan se edhe gratë që janë pjesë e këtyre fushave përballen me diskriminim dhe gjuhë të urrejtjes.
Këto komente u bënë gjatë një takimi këshillues të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qendra e Kosovës për Studime Gjinore, me synim përafrimin e politikave të tyre për të çuar përpara çështjet që ndërlidhen me gratë në Kosovë.
“Rrugëtimi politik dhe publik nuk është më i lehtë, sabotimi dhe pengesat janë më të vrazhda, gjuha është më e vrazhdë, lajmëtarët apo transmetuesit e nënçmimeve ndaj grave janë më të sofistikuar, gjuha e urrejtjes ndaj grave është tej mase e ashpërsuar në nivel global”, tha Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore e Kosovës.
Në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, që deri vonë njihej si raporti i progresit, thuhet se gratë ende mbesin të nënpërfaqësuara dhe se numri i tyre në poste të larta është i pakënaqshëm.
“Gjuha diskriminuese dhe sulmet verbale vazhduan, duke përfshirë edhe gratë në jetën publike, siç janë deputetet në parlament”, thuhet në raport, ku nënvizohet se rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.Nënkryetarja të parlamentit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se përkundër përparimit që vendi ka shënuar ndër vite në përmirësimin e rolit të gruas, ka ende shumë punë për të bërë dhe posaçërisht në ndryshimin e mendësisë.
“Dhe këtu duhet të kemi fokus më të madh nëse duam të eliminojmë pabarazinë. Kohëve të fundit kemi parë sulme të ashpra ndaj grave në politikë dhe sferën publike dhe kjo vjen fatkeqësisht nga burrat dhe jo nga gratë. Unë mund të jap shembuj të panumërt në përvojën time dhe besoj që gjithësecila nga ju keni përvoja të ngjashme. Kështu cilat janë veprimet tona që sigurojnë se veprimet e tilla ndaj grave në pozita publike nuk i dekurajojnë gratë dhe vajzat tjera që të angazhohen”, tha ajo.
Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore tha se raporti i Komisionit Evropian tregon qartë se përgjegjësia e institucioneve për të promovuar barazinë gjinore ende mbetet në shkallë të pakënaqshme.
“Investimet e vazhdueshme shtetërore në barazi gjinore në aspektin e kornizës ligjore por edhe të jetësimit praktik të saj janë absolutisht të domosdoshme, prandaj është shumë më mirë për shtetin e Kosovës që ato të bëhen me iniciativën tonë sesa pas kërkesave nga partnerët tanë të BE-së. Barazia gjinore është kusht për realizimin e të drejtave të njeriut prandaj shoqëria dhe institucionet e Kosovës e kanë të domosdoshme investimin e vazhdueshëm në promovimin e barazisë gjinore”, tha ajo.
Zonja Demolli theksoi se ligjet e Kosovës garantojnë barazinë gjinore në jetën politike e publike, por problem mbetet shkalla e ultë e zbatimit të tyre.
Ligji për zgjedhjet parasheh një kuotë gjinore prej të paktën 30 për qind gra në parlamentin e Kosovës ndërkaq ligji për barazi gjinore parasheh pjesëmarrje të grave prej 50 për qind. Në raportin e Komisionit Evropian theksohet nevoja për harmonizimin e këtyre dy ligjeve, që është kërkuar në vazhdimësi edhe nga organizatat e shoqërisë civile në vend.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë që u miratua në qershor të vitit të kaluar, la në fuqi kuotën prej 30 për qind.
Avokati i Popullit Naim Qelaj në fillim të këtij viti e dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar këtë mospërputhje duke vlerësuar se kuota prej 30 për qind e përligj trajtimin e pabarabartë të grave.
Organizatat që trajtojnë çështjet e barazisë gjinore shprehin shqetësimin me përfshirjen e paktë të grave në politikë dhe posaçërisht vendimmarrje, duke bërë thirrje për ndryshim të kësaj kulture si domosdoshmëri për zhvillimin e demokracisë në vend./VOA