Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier kishte parlajmëruar dhe një reagim tepër i ashpër nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien mbërriti. Diplomati i cili ka mbi tri dekada që shërben në diplomacinë amerikane kërkoi tërheqje të menjëhershme nga veprimet për zbatimin e rregullores së re që e heq dinarin serb nga përdorimi. Qeverisjen kosovare e quajti të dobët dhe të paaftë për t’iu shërbyer qytetarëve dhe për ta ruajtur partneritetin. Tha se Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me aleatin më të afërt, ndërsa theksoi se “nëse nuk trajtohemi si partner, nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”. SHBA-ja nuk do të shkojë aq larg sa ta lë Serbinë ta pushtojë Kosovën, por këtë acarim e përshkruan si serioz profesori i Studimeve Europiane në Universitetin “John Hopkins”, David Kanin. Më i qetë në këtë mes u paraqit kryeministri i vendit, i cili nga Prizreni nuk shfaqi ndonjë shenjë zmbrapsjeje. “Pa ndëshkim dhe pa incident, ne duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioriteti ynë”, tha ndër tjerash Albin Kurti.
Këtë muaj hyri në fuqi zbatimi i rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përfshin edhe heqjen e dinarit serb nga përdorimi në vend. Para se kjo të ndodhte, ndërkombëtarët reaguan të shqetësuar për ndikimin që thanë se do ta ketë në jetën e serbëve, dhe i kërkuan Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë zbatimin e rregullave të reja për një kohë.
Në fillim të javës së kaluar, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier pati një takim të gjatë me kryeministrin Albin Kurti në objektin e Qeverisë, disa orë pasi të dielën vonë kishte deklaruar se këto veprime “janë duke i rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike” dhe se ato po “kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”. Nga ai takim, Hovenier doli me pritshmërinë që kërkesa e tij të përfillej. Kur u pyet nëse SHBA-ja mund të marrë masa ndaj Kosovës, tha se shpreson që “Qeveria të jetë partnere me ne”. Në të kundërtën, tha se kjo “do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”.
Pak më shumë se një javë pas atij takimi do të vinte reagimi më i ashpër amerikan. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien tha mbrëmë se Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës kur u pyet për mundësinë që SHBA-ja të vendosë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, ashtu siç ka bërë Bashkimi Europian në verë të vitit të kaluar.
Zyrtari i lartë amerikan tha se Qeveria e Kosovës vendosi të ecte përpara me këtë çështje “pa paralajmërim”, duke e cilësuar ekzekutivin kosovar si të paaftë për t’iu shërbyer qytetarëve dhe për ta ruajtur partneritetin.
“Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’iu shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Europës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, tha ai.
O’Brien tha se ka pasur mënyra të tjera për ta adresuar këtë çështje, “jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”.
Diplomati i cili ka shërbyer për mbi tri dekada në diplomacinë amerikane, eprori i emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Qeveria dhe Banka Qendrore “duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojnë drejt zgjidhjes së problemit konkret që ata duan ta zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne europiane”.
“Veprimet e Kurtit e ndihmojnë Serbinë”
Profesori i Studimeve Europiane në Universitetin “John Hopkins” në SHBA, David Kanin tha O’Brien reagoi në atë mënyrë sepse amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që “nxisin bela”.
“Është një tjetër dëshmi e antipatisë sonë ndaj Kurtit, e dëshirës sonë që ai të jetë jashtë. Mesazhi ynë për Kosovën është se partneriteti ynë kërcënohet nga veprimet e ndryshme që ai ndërmerr. E kemi pasur të njëjtën ndjenjë kur i ka detyruar kryetarët shqiptarë të komunave të vendosen në veri. Por, kini parasysh kontekstin e saj – Shtetet e Bashkuara dhe europianët janë tërësisht të fokusuar në Gazë, në Ukrainë dhe në një sërë problemesh me Kinën. Gjëja e fundit që dëshiron ndonjë ndërkombëtar, janë telashet në Ballkan. Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, tha Kanin.
Ai tha se veprimet e Kurtit po e ndihmojnë Serbinë dhe se kështu po harrohet sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
“Mendoj se [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, nuk është i lumtur me atë që ka ndodhur në Banjskë. Me dorëheqjen e [ish-shefit të shërbimit informativ, Aleksandar] Vulin dhe me disa ndryshime të tjera, mendoj se Vuçiq po përpiqet ta pastrojë shtëpinë e tij, në heshtje dhe gradualisht, sepse Banjska vërtet është shndërruar në një pengesë për të. Veprimet e Kurtit, edhe sa u përket kryetarëve, edhe vendimit për dinarin, e ndihmojnë Serbinë dhe bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën”, tha Kanin në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Kanin tha se humbja e partneritetit me SHBA-në “do të thoshte shumë” për Kosovën, pasi ajo “është mbrojtëse e Kosovës”.
“Nuk mendoj se do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën. Nuk do ta tërheqim njohjen e sovranitetit të saj, nuk do t’i japim leje Serbisë për ta pushtuar. Nuk mendoj se pohimet e SHBA-së se është mbrojtëse e Kosovës, do të ndryshojnë. Mendoj se çështja më e rëndësishme, sinqerisht, është vështirësia që Kurti do të ketë me imponimin [e masës për dinarin], ashtu siç e ka pasur me kryetarët e komunave”, tha ai.
Kurti beson se s’ka rrezik: Ecim përpara
Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti sot nga Prizreni nuk e pa të rrezikuar partneritetin me SHBA-në, pas deklaratave të mbrëmshme të O’Brien.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti. Ai përsëriti fjalët “nuk po rrezikohet”, pas pyetjeve të gazetarëve për partneritetin me Amerikën.
Kryeministri përmendi planin 10-pikësh të BQK-së për zbatimin e rregullores së re, duke thënë se ajo “nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese”.
“Pra pa ndëshkim dhe pa incident, ne duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioriteti ynë, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati u pyet gjithashtu për këtë çështje. Në një konferencë pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, ai tha se vendimi për rregulloren e re “është marrë nga Banka Qendrore në dhjetorin e vitit të kaluar”.
Ai tha se partnerët e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e tyre “deri në fund”.
“Patjetër që konsultohemi, patjetër që koordinohemi dhe patjetër që kemi parasysh të gjitha aspektet sa i përket qëllimit që arrin apo që synon të arrijë rregullorja e BQK-së, por edhe shumë ligjeve të tjera që kemi miratuar ne, të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund. Besoj se këto i keni marrë edhe përmes deklaratave të ambasadave. Do të thotë, nuk ka dilema apo nuk ka kurrfarë dallimi sa i përket qëllimit që duam të arrijmë. I vetmi dallim është në periudhën apo si të dizajnohet periudha tranzitore, që është kërkuar që të ketë”, tha Murati.