Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Shpërthim i ri i Ebolës vret 65 persona në lindje të Kongos

Shpërthim i ri i Ebolës vret 65 persona në lindje të Kongos

Agjencia kryesore e shëndetit në Afrikë ka shpallur një shpërthim të Ebolës në provincën lindore Ituri të Republikës Demokratike të Kongos.

Rreth 246 raste dhe 65 vdekje janë raportuar, kryesisht në qytetet minerare të arit Mongwalu dhe Rwampara, ka bërë të ditur Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC).

Në një deklaratë të së premtes, ajo shtoi se po thërret një takim me Republikën Demokratike të Kongos, Ugandën dhe Sudanin e Jugut, si dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të diskutuar prioritetet, përfshirë masat e reagimit dhe mbikëqyrjen ndërkufitare, raporton BBC – transmeton Sinjali.

Ebola është zbuluar për herë të parë në vitin 1976 në atë që sot është Republika Demokratike e Kongos dhe besohet se është përhapur nga lakuriqët e natës. Ky është shpërthimi i 17-të i kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse në vend.

Virusi përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore dhe përmes lëkurës së dëmtuar, duke shkaktuar gjakderdhje të rëndë dhe dështim të organeve.

Simptomat e hershme përfshijnë ethe, dhimbje muskujsh, lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje fyti, të cilat më pas shoqërohen me të vjella, diarre, skuqje dhe gjakderdhje.

Nuk ka kurë të provuar për Ebolën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shkalla mesatare e vdekshmërisë është rreth 50%.

Testet paraprake të kryera në Institutin Kombëtar të Kërkimeve Biomjekësore (INRB) në kryeqytetin Kinshasa kanë zbuluar virusin në 13 nga 20 mostra të analizuara, pas konsultimeve me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të DRC-së.

Po ashtu po kryhen teste për të identifikuar llojin e virusit.

Nga 65 viktimat, katër janë raportuar në rastet e konfirmuara laboratorike, ka bërë të ditur Africa CDC.

Raste të dyshuara shtesë janë raportuar edhe në kryeqytetin provincial të Iturit, Bunia, ndërsa konfirmimi laboratorik është ende në pritje.

Africa CDC shprehet e shqetësuar për rrezikun e lartë të përhapjes për shkak të zonave urbane të Rwampara dhe Bunia, si dhe aktivitetit minerar në Mongwalu.

Drejtori ekzekutiv i agjencisë, Dr. Jean Kaseya, shtoi se “lëvizja e konsiderueshme e popullsisë” mes zonave të prekura dhe vendeve fqinje e bën të domosdoshme bashkërendimin rajonal.

Të gjitha komunitetet e prekura dhe zonat në rrezik janë këshilluar të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shëndetësore kombëtare.