Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Shpërthen një vullkan për herë të dytë në Islandë

Shpërthen një vullkan për herë të dytë në Islandë

Një vullkan në jugperëndim të Islandës ka shpërthyer të enjten, vetëm dy muaj pasi një shpërthim paraprak i detyroi banorët e qytetit bregdetar, Grindavik, të evakuoheshin.

Shpërthimi nisi rreth orës 6 të mëngjesit sipas kohës lokale, duke lëshuar lavë përgjatë një çarjeje toke tri kilometra të gjatë në verilindje të Mount Sundhnukur, tha Zyra Meteorolgijike e Islandës.

Roja Bregdetare tha se shpërthimi ndodhi në të njëjtën pjesë ku kishte ndodhur shpërthimi i 18 dhjetorit.

Zyra Meteorologjike theksoi se lava po rridhte drejt perëndimit dhe se tani për tani nuk ka rrezik për qytetin Grindavik – në të cilin pati evakuim nga vullkani i fundvitit – apo për termocentralin e madh në këtë pjesë të vendit.

Transmetuesi publik i Islandës, RUV, tha se Blue Lagoon spa, njëri prej atraksioneve më të mëdha turistike të Islandës, u mbyll menjëherë pasi filloi shpërthimi i vullkanit dhe se vizitorët u evakuuan në hotele.

Ky është shpërthimi i tretë prej dhjetorit i një sistemi vullkanit në Gadhisullin e Reikjanes, ku ndodhet edhe Keflaviku, aeroporti kryesor i Islandës. Nuk u raportua për pengesa në fluturime të enjten.

Në Islandë ndodh shpërthimi i një vullkani çdo katër-pesë vjet mesatarisht. Më 2010 ndodhi shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull, më i madhi në vitet e fundit, duke lëshuar re të mëdha hiri në atmosferë, gjë që shkaktoi mbylljen e hapësirave ajrore nëpër Evropë.

Qyteti me 3.800 banorë afër aeroportit kryesor të Islandës u evakuua më 10 nëntor kur një sërë tërmetesh shkaktuan çarje të tokës mes Grindavikut dhe Sylingarfellit, një qytet i vogël bjeshkor në veri.

Vullkani filloi të shpërthejë përfundimisht më 18 dhjetor, duke lëshuar lavë në drejtim të Grindavik. Një shpërthim i dytë ndodhi më 14 janar dhe lava e tij rrodhi drejt qytetit.

Muret mbrojtëse të cilat ishin forcuar pas shpërthimit të parë e ndalen një pjesë të lavës, por disa ndërtesa u gllabëruan nga lava. /REL/

Powered by WordPress