Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Shpërthejnë sërish radiomarrësit e Hezbollaut, 3 viktima e qindra të plagosur në Liban

Shpërthejnë sërish radiomarrësit e Hezbollaut, 3 viktima e qindra të plagosur në Liban

Në Liban nuk ka qetësi. Pas shpërthimit që la të vdekur 9 persona, të tjera shpërthime kanë vijuar të mërkurën duke shkaktuar edhe tre viktima të tjera, e duke e çuar totalin në 12 të vdekur.

Shpërthime të reja me shkaqe ende të panjohura janë regjistruar në pjesë të ndryshme të Libanit. Mediat ndërkombëtare theksojnë se shpërthimet janë dëgjuar në Libanin jugor, në zonën Bekaa dhe në periferitë jugore të Bejruti.

Sipas Reuters, materialet shpërthyese ishin vendosur në brendësi të radiove të lëvizshme ose telekomandave të përdorur nga luftëtarët e lëvizjes Hezbollah.

Pajisjet e komunikimit me valë kanë shpërthyer në shtëpi, makina dhe motoçikleta. Një shpërthim u regjistrua edhe gjatë funeralit të djalit të deputetit të Hezbollahut, Ali Ammar, që po mbahej në periferinë jugore të Bejrutit.

Për shpërthimet ka reaguar edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken. Ai mohoi raportet se Uashingtoni ishte i përfshirë në shpërthimet e operativëve të Hezbollahut dhe bëri thirrje për “përpjekje të përbashkëta midis Egjiptit, Shteteve të Bashkuara dhe Katarit për të çuar përpara negociatat për armëpushim dhe për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve“.

“Në lidhje me Libanin, Shtetet e Bashkuara nuk dinin dhe nuk ishin të përfshira në këto incidente dhe ne ende jemi duke mbledhur informacionin dhe duke mbledhur faktet. Në përgjithësi, ne kemi qenë shumë të qartë dhe mbetemi shumë të qartë për rëndësinë që të gjitha palët të shmangin çdo hap që mund të përshkallëzojë konfliktin që ne po përpiqemi ta zgjidhim në Gaza, për të shmangur përhapjen e tij në fronte të tjera. Është e qartë se nuk është në interesin e askujt të përfshirë që kjo të ndodhë dhe kjo është arsyeja pse, është e domosdoshme që të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë konfliktin”, tha Anthony Blinken.

Presidenti iranian Massoud Pezeshkian tha se shpërthimet e njëkohshme të radiomarrësve të përdorur nga Hezbollahu në Liban janë një “turp” për vendet perëndimore, “veçanërisht Shtetet e Bashkuara, aleate e Izraelit“.

“Ky incident ka treguar edhe një herë se megjithëse vendet perëndimore dhe amerikanët pretendojnë se kërkojnë armëpushim, në praktikë ata mbështesin plotësisht krimet e regjimit sionist”, tha Pezeshkian në një deklaratë për shtyp të publikuar në faqen e Presidencës.

Powered by WordPress