Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Shpërthejnë përplasjet, qindra mijëra protestojnë në Francë

Shpërthejnë përplasjet, qindra mijëra protestojnë në Francë

Një zyrtar policor në Paris ka mbetur i lënduar pasi është goditur nga një koktej molotovi, gjatë përleshjeve që shpërthyen në kryeqytet dhe qytete të tjera të Francës, në kuadër të protestave kundër rritjes së kostos së jetesës dhe pabarazisë.

Qindra mijëra qytetarë, disa prej tyre të veshur me kostume të Halloween-it, dolën në rrugë në të gjithë Francën, për të tretën fundjavë radhazi. Shumica e demonstratave u zhvilluan në mënyrë paqësore.

Megjithatë, prefektura e policisë në Paris njoftoi se disa qindra protestues të dhunshëm sulmuan forcat e sigurisë me mjete të ndryshme, përfshirë edhe koktej molotovi.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, foli për një nivel të jashtëzakonshëm dhune nga disa protestues, duke fajësuar grupet ekstremiste të së majtës ekstreme për sulmet ndaj forcave të rendit.

Ai e cilësoi hedhjen e koktej molotovit ndaj një polici në Paris si “tentativë për vrasje”, duke shtuar se zyrtari policor kishte shpëtuar me lëndime të lehta.

“Jemi plotësisht të përgatitur për ata që kërkojnë konfrontim sonte”, deklaroi ai.

Pas një marshimi në periferi të Parisit, i zhvilluar në mot me diell, përplasjet mes policisë dhe disa demonstruesve nisën kur procesioni arriti në destinacionin përfundimtar.

Sipas gazetarëve të AFP-së, dhjetëra persona të maskuar dhe të veshur me të zeza përdorën çekiçë për të shkëputur gurët e trotuarit dhe për t’i hedhur në drejtim të policisë. Forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe disa ndërhyrje me shkopinj gome.

Udhëheqësja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, kërkoi që përgjegjësit për sulmin me koktej molotovi të ndëshkohen me ashpërsinë më të madhe.

“Imazhet e një polici të përfshirë nga flakët pasi u sulmua me mjete ndezëse janë të papërballueshme”, shkroi Le Pen në platformën X.

Ndërkohë, në lagjet qendrore të Parisit, République dhe Châtelet-Les Halles, ishte paraparë të vendosej shtetrrethim nga ora 23:00 deri në 06:00, gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës.

Policia arrestoi më shumë se 420 persona në të gjithë vendin.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se “elementë radikalë” në qytete si Bordo, Tuluzë dhe Marsejë kishin tentuar të hynin në qendrat e qyteteve, me qëllim kryerjen e akteve të vandalizmit dhe plaçkitjeve.

Në Lion, qytetin e tretë më të madh të Francës, protestuesit hodhën mjete të ndryshme në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.