Përgatiti: Afrim Kasolli
Secila prej partive politike që garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit, me përjashtim të asaj në pushtet, i ka kushtuar një vend në kuadër të programeve të tyre qeverisëse edhe investimeve në sferën e kulturës.
Mirëpo, në këtë rast në dallim nga premtimet si bie fjala në ekonomi apo rritje pagash, premtimet e tyre më shumë i ngjasojnë plotësimit të një kriteri formal ,sesa janë zotim për plotësimin e tyre imediat. Në shumicën e atyre që kanë thënë se do t’i bëjnë mungojnë afatet e qarta dhe koha e saktë për realizmin e tyre.
Me këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës ka premtuar se hapi i saj i parë në këtë drejtim do të jetë sajimi i një strategji të re për kulturën, duke identifikuar dhe zhvilluar potencialet krijuese në bashkëpunim me komunitetin, ku ajo do ta vendos “artistin si qytetar dhe aktivist që përparon përmes kulturës” . Po ashtu ajo i ka identifikuar disa objekte të reja kulturore që premton se do t’i ndërtojw. Duke filluar, nga ndërtimi i Qendrës Kombëtare të Arteve Performuese, ndërtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve Pamore, ndërtimi Memorialit të Gjenocidit si dhe Shkollës së Restaurimit dhe Konservimit të Trashëgimisë Kulturore si dhe rehabilitimit të qendrave historike të Kosovës. Ndonëse përshkruhet rëndësia që ka investimi në këtë sektor, megjithatë mungojnë specifikat e dhe afatët e finalizimit të tyre dhe shuma mjeteve tw dedikuara me qëllim jetësimin e tyre.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës i është rikthyer, premtimit të të gjitha fushatave elektorale, atij për ndërtimin e “Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Thuhet se në këtë objekt do të investohet 25 milionë euro dhe se punimet do të përfundojnë brenda katër viteve. Por nuk specifikohet se për cilat vite është fjala. Ngase ndërtimi i tij mund të fillojë në fund të mandatit qeveritar. Ndër premtimet e tjera të kësaj partie përfshihen, ato të Teatrit Kombëtar, Muzeut tw Artit Bashkëkohor, themelimit tw Qendrës së Librit dhe themelimit tw Muzeut të Paqes dhe të Rezistencës, i cili do të jetë i pari i këtij lloji, ku do të përfshijë veprimtarinë shoqërore, politike, humanitare të Kosovës gjatë viteve të 90-ta, për ndërtimin e të cilit do të ndahen 10 milionë euro. Edhe kjo parti në asnjërin prej këtyre projekteve nuk e ka qartësuar kohën e fillimit të realizimit të tyre, por sa zgjat finalizimi.
Kjo qasje, ku shumë nga këto premtime, përpos që janë riciklim i atyre që janë bërë ndër vite, në të vërtetë e shpalos edhe shpërfilljen e partive politike ndaj sferës së kulturës, sepse investimet në këtë sferë janë lënë thuajse nën mëshirën e kohës. /TV Arbëria