Përgatiti: Afrim Kasolli
Derisa partitë politike janë duke i vazhduar “negociatat” e tyre për ta prodhuar edhe një (mos)marrëveshje të re politike më qëllim (mos)themelimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 7 qershorit, një trendë tjetër alarmues ka kohë që ka zënë rrënjë në shoqërinë tonë dhe që mjerisht thuajse po shpërfillet pa përjashtim. Ky fenomen ka të bëjë më tkurrjen e pandalshme të popullsisë së Kosovës gjatë dekadave që shtrihen para nesh.
Kështu sipas projeksioneve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi parashikimin e popullsisë për periudhën 2025-2060, popullsia e vendit tonë pritet të zvogëlohet ndjeshëm. Pra nëse, në fillim të vitit 2024 ajo ishte 1.6 milion banorë, në bazë të “variantit të mesëm, ajo pritet të bjerë në rreth 1.01 milion deri në fund të vitit 2060, që paraqet një rënie prej afërsisht 0.60 milion banorësh ose rreth 37 për qind”. Dhe një rënie e tillë i “pasqyron humbjet e pritshme nga migrimi dhe, kalimit drejt humbjeve të popullsisë si rezultat i bilancit negativ natyror.
Ky hulumtim flet për pasoja të shumëfishta që do të manifestohen nga ky trend. Por megjithatë këtu vlen të veçohen ato ekonomike. Kështu, popullsia në moshë pune do të tkurret dukshëm, pra struktura e moshës 15–64 vjeç pritet të bjerë nga rreth 1.08 milion në vitin bazë 2024 në rreth 580 mijë deri në vitin 2060. Kjo tkurrje do të ngushtojë ofertën e fuqisë punëtore vendore dhe do të dobësojë bazën demografike që mbështet sistemet pensionale, sigurimet shëndetësore dhe sistemet e tjera të mbrojtjes sociale”. Një parashikim ky ogurzi që po ashtu tregon se e gjithë retorika politike për përmërsim të këtyre aspekteve të jetës sociale dhe ekonomike nuk do të jetë asgjë tjetër, pos premti i zbrazët ngase ajo nuk përkojnë me frymën e depopullimit. Madje një trend i tillë do ta zhflevtësoje gjithnjë e më tepër Kosovën si vend atraktiv për makro-investime ekonomike.
Në këtë kontekst, të dhëna të tilla demografike duhet të shërbejnë si një alarm kombëtar, sepse, siç u tha me lartë, shoqëria do të përballet gjithnjë e më pak me fuqi punëtore më pak ndërmarrës dhe gjithnjë me shumë njerëz që do të jenë të varur nga përkujdesja e moshës dhe asistenca, e të cilat do të jenë po ashtu gjithnjë e më vështirë të mirëmbahen.