![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/pdk-2025.gif)
Shkruan: Afrim Kasolli
Ditën e djeshme dy partitë kryesore në vend, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, për aktivitet kryesor elektoral patën takimet me gratë. E para këtë ngjarje mbajti në sallën “1 Tetori”, kurse e dyta në “Hotel Emerald” . Ndërkohë, në këto tubime përpos kandidatëve për kryeministër nga këto parti u panë edhe burra tjera duke u zotuar për kontributin e tyre këtë temë.
Nuk ka dyshim se pjesëmarrja e grave në politikë është domosdoshme, si për avancimin e barazisë gjinore ashtu edhe promovimin e një rendi demokratik e të barabartë konsiderohet një domosdoshmëri si për Kosovën ashtu edhe për shume vende të tjera në botë. Madje, mjerisht kohën e fundit, ky proces ka njohur një prapakthim. Sipas të dhënave të institutit V-Dem, një organizatë kjo që merret me studimin e demokracisë, sot 70 për qind e popullsisë botërore është duke jetuar nën regjime autokratike. Dhe për tepër, siç konstaton Linda Robinsion në shkrimin “The Global Assault on Women in Politics- A More Misogynistic World Is a More Authoritarian World” një nga komponentët kryesore të këtij sulmi mbi demokracinë është duke shkuar paralelisht me atakimin ndaj grave lidere në politikë, ashtu edhe ndaj të drejtave të tyre në përgjithësi. Ndërkohë, të përballuara me këto presione, në dallim nga vitet e kaluara shumë gra janë tërhequr nga pozicionet politike dhe publike. Ato sot zënë vetëm 27 për qind të ulëse parlamentare në nivel botëror, ndërkohë kur gjysma e popullsisë përbëhet nga gratë. Dhe siç dihet proporcioni i drejtë e përfaqësimit të tyre është kusht për një demokraci të shëndetshme. Po ashtu, pas disa vitesh progres në numri i grave që shërbejnë si drejtuese shteti në dallim nga viti 2023 që shkonte deri në 38 sot ka rënë në 27. Kurse sipas të dhënave Unionit Inter-Parlamentar, një nga gjashtë gra, është duke e dorëzuar pozitën e parlamentares para përfundimit të mandatit. Ndërkaq, numri i atyre që konkurrojnë për pozita të tilla ka rënë për 21 përqind, që nga viti 2022 konstaton “Center for American Women and Politics”.
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/ldk-2025-1.gif)
Sidoqoftë, fushata elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit, po dëshmon se edhe në shoqërinë tonë pozicioni i grave në politikë mbetet në një gjendje të palakueshme. E para asnjëra nga partitë politike nuk mori guximin që në listat tyre përfaqësimi në listat për deputetë të ishte 50/50 si reflektim i strukturës demografike.
Kurse, sipas të dhënave të prezantuara, nga Koalicioni i ‘Demokracisë në Veprim’ gjatë dy javëve të kësaj fushate pjesëmarrja e grave ka qene tejet e ulët. Në më shumë se “se gjysmën e aktiviteteve (55%) ka pasur pjesëmarrje minimale të grave – me vetëm deri në 10% të pjesëmarrësve. Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, ende vetëm 1/3 e fjalimeve janë mbajtur nga gratë. Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar edhe në media. Nga 606 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm në 86 prej tyre (14%) kanë qenë të paraqitura gratë. Edhe kohëzgjatja televizive në kronika zgjedhore ka qenë dukshëm më e ulët për gratë në krahasim me burrat. Vetëm 28 minuta apo 10% e hapësirës televizive u është dhënë grave. Ngjashëm, edhe debatet televizive janë dominuar nga pjesëmarrësit burra, me vetëm 44 (22%) kandidate gra që kanë marrë pjesë në 174 debate të mbajtura”.
Këto pabarazi strukturore mbase tregojnë se edhe shfaqjet e djeshme më shumë se për ta përmirësuar këtë realitet, ato ishin një improvizim i çastit për ta zhvendosur vëmendjen nga to. Për më shumë edhe premtimet e tyre se çka do të bëjnë nëse janë në pushtet nuk japin asnjë shpresë për tejkalim të kësaj gjendje.
Kryeministri Kurti tentoi ta maskoi bisedën telefonike dhe koordinimin Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me shefin real të Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, atëbotë në listë të zezë të SHBA-ve për krim dhe korrupsion, se ishte orkestruar vetëm nga fakti se ajo ishte grua. Të njëjtën gjë e bëri edhe me dështimin diplomatik të shtetit të Kosovës në këtë mandat, duke aluduar se ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gervalla, po ashtu ishte sulmua për arsyeje gjinore. Pra ishte ky një rast tipik i shpërdorimit dhe fshehjes sw tij pas kauzave gjinore për të mbuluar dështimet politike.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, përkundër se nuk ia doli ta mbajë zotimin e saj kryesor për ndarje të barabartë të pozitave në çdo trup të saj vendimmarrës 50/50, po ashtu si krye premtim të saj e ka shndërruar ndarjen “nga 100 euro në muaj si subvencion për të gjitha familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhet publike, për t’i regjistruar ata në çerdhet private” . Mirëpo, një zotim i tillë mund të shndërrohet në burim të padrejtësive të reja. Apo PDK-ja në këtë mënyrë ka menduar vetëm për përmirësimin e pozicionit të grave “urbane”. Si do të adresohet problemi i atyre grave në zona rurale ku mungojnë si çerdhet private ashtu edhe ato publike? Apo PDK-ja në këtë mënyrë ka menduar vetëm për përmirësimin e pozicionit të grave “urbane”. Sepse çdo afirmim partikular brenda një kategori universale lehtësisht mund të shndërrohet në burim të pabarazisë. Gjendja më e mirë nuk është as sa i përket ajo për të cilën ka premtuar se do ta bëjë LDK-ja. Me një vizion që fqinjëron me politikat e popullzimit të djathtë natalist, kryetari i këtij subjekti është zotuar se secila grua për fëmijën e tretë do të shpërblehet me 5 mijë euro. Një qasje kjo që rrezikon ta mbyll gruan vetëm brenda rolit të saj biologjik dhe privat familjar.
Këto defekte tregojnë se shfaqjet e djeshme nga dy partitë kryesore në vend, por më herët edhe nga LDK-ja. po shndërrohen në një përpjekje tinëzare të disa burrave për t’i përdorur kauzat gjinore vetëm për përftime vetanake politike. /TV Arbëria
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/nisma-2025.gif)