Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Shpenzimet e regjimit Kurti 2: 31 milionë euro për udhëtime dhe darka luksoze si mundësi e humbur për zhvillimin e Kosovës

Shpenzimet e regjimit Kurti 2: 31 milionë euro për udhëtime dhe darka luksoze si mundësi e humbur për zhvillimin e Kosovës

Shkruan: Afrim Haliti

Në një periudhë nga 22 marsi 2021 deri më 30 qershor 2024, regjimi e Kosovës nën kryeministrin Albin Kurti, paska shpenzuar plot 31 milionë euro për udhëtime dhe darka luksoze. Këto shpenzime barazohen me një mesatare prej 25,920 Eurove në ditë, që do duhej nxitur polemika të konsiderueshme dhe ngritur pikëpyetje të mëdha në lidhje me prioritetet fiskale të regjimit Kurti në një vend si Kosova ku zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike vazhdojnë të përballen me sfida të shumta.

Çka do të mund të arrihej me 31 milion Euro?

Zbulimi se regjimi Kurti 2 ka ndarë një shumë të tillë të konsiderueshme për ato që do duhej të konsideroheshin si shpenzime jo thelbësore, duke pasur parasysh që gjatë tërë kësaj kohe Kosova nuk ka marrë as edhe një njohje, dhe për më tepër ajo sot e gjenë vetën nën sanksione nga BE-ja dhe SHBA-të, vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të përballet me çështje dhe probleme esenciale socio-ekonomike. Me 31 milionë euro, regjimi Kurti ka pasë potencial për të bërë investime të rëndësishme në fusha që mund të kishin një ndikim të gjerë dhe afatgjatë në zhvillimin e vendit.
Për shembull me 31 milionë euro, Kosova mund të kishte përmirësuar në mënyrë drastike infrastrukturën e saj arsimore. Këto fonde do të mund të ishin përdorur për të ndërtuar nga 10 deri në 30 shkolla të reja, duke ofruar mjedise më të mira arsimore për mijëra nxënës. Përndryshe, e njëjta shumë mund të ishte ndarë për rinovimin e deri në 155 shkollave ekzistuese, duke siguruar që institucionet aktuale arsimore të jenë të sigurta, moderne dhe të favorshme për të mësuar.

Investimi i këtyre parave në infrastrukturën digjitale dhe trajnimin e mësuesve mund të kishte përmirësuar më tej cilësinë e arsimit, duke përgatitur rininë e Kosovës për të konkurruar në një ekonomi globale. Në një vend ku arsimi është çelësi i rritjes ekonomike afatgjate, një investim i tillë do të kishte pasur përfitime të qëndrueshme.

Pastaj sistemi shëndetësor i Kosovës gjithashtu mund të ketë pasur përmirësime të konsiderueshme me këto fonde. Ndërtimi i spitaleve të reja ose përmirësimi i atyre ekzistuese, blerja e pajisjeve moderne mjekësore dhe investimi në sistemet shëndetësore digjitale mund të kishin qenë transformuese. Fondet mund të kishin mbështetur ndërtimin e deri në gjashtë spitaleve të reja ose rinovimin e deri në 31 spitaleve ekzistuese, duke përmirësuar ndjeshëm qasjen në kujdesin shëndetësor në të gjithë vendin.

Përveç kësaj, investimet në trajnimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor, fushatat e shëndetit publik dhe shërbimet e kujdesit emergjent do të kishin forcuar infrastrukturën e përgjithshme shëndetësore, duke kontribuar në rezultate më të mira shëndetësore dhe rritje të jetëgjatësisë për kosovarët.

Tutje në vend që të shpenzohen 31 milionë euro për udhëtime dhe darka luksoze, këto fonde do të mund të ishin investuar në mënyrë strategjike në ekonominë e Kosovës, veçanërisht në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe diversifikimin ekonomik. Krijimi i një fondi për të ofruar kredi ose grante me interes të ulët për këto ndërmarrje mund të kishte stimuluar rritjen në sektorët kyç, duke nxitur inovacionin dhe sipërmarrjen.

Zhvillimi i infrastrukturës, veçanërisht në transport dhe lidhje digjitale, do të kishte rritur konkurrencën ekonomike të Kosovës. Përmirësimi i rrugëve, urave dhe transportit publik do të mund të lehtësonin tregtinë dhe operacionet e biznesit, ndërsa lidhja e përmirësuar e internetit mund të kishte forcuar ekonominë digjitale, veçanërisht në zonat rurale.
Poashtu sektori bujqësor i Kosovës, një pjesë jetike e ekonomisë së saj, mund të kishte përfituar nga iniciativat e modernizimit të financuara nga këto 31 milionë euro. Investimet në pajisjet moderne bujqësore, sistemet e ujitjes dhe agrobizneset mund të kishin rritur produktivitetin dhe të krijonin mundësi të reja për prodhim me vlerë të shtuar, duke nxitur si ekonominë rurale ashtu edhe sigurinë ushqimore.

Në mënyrë të ngjashme, sektori i turizmit, me potencialin e saj të pashfrytëzuar, mund të kishte marrë një nxitje të konsiderueshme nëpërmjet investimeve në infrastrukturë dhe marketing. Zhvillimi i infrastrukturës turistike dhe promovimi i Kosovës si destinacion mund të kishte tërhequr vizitorë rajonal dhe ndërkombëtarë, duke kontribuar në krijimin e vendeve të punës dhe diversifikimin ekonomik.

Vendimi i regjimit Kurti për të ndarë 31 milionë euro për udhëtime dhe darka luksoze e jo për sektorët kritikë paraqet një mundësi të humbur për Kosovën. Këto fonde mund të ishin përdorur për të ndërtuar shkolla, spitale dhe infrastrukturë, për të mbështetur bizneset dhe për të investuar në të ardhmen e vendit. Në vend të kësaj, këto shpenzime shpërfaqin shqetësime për prioritetet e kësaj qeverie dhe për (mos)angazhimin e regjimit të Albin Kurtit për të adresuar nevojat reale të njerëzve të saj.

Mos harroni, regjimi Kurti ka arritur të ndërtojë vetëm një urë 3 metërshe. Gjithçka tjetër kanë qenë vetëm pallavra. Shpenzimet e tilla më së miri po reflektohen në barkun dhe qafat e tyre që po trashen çdo ditë e më shumë deri sa barku i popullit ngopjen e ka çdo ditë e më të vështirë.

Powered by WordPress