Shkruan Edona Salihu
Herbert Marcuze si një nga anëtarët më radikal të Shkollës së Frankfurtit, paraqiti konceptin e “njeriut njëdimensional”, si dikush që i nënshtrohet një lloji të ri të totalitarizmit në formën e kapitalizmit konsumator dhe teknologjik.
Pavarësisht që shoqëritë moderne thirren në të drejta dhe liri individuale, njeriu sot po kontrollohet gjithnjë e më shumë nga forca racionalizuese të masmedias, reklamimit e teknologjisë. Sot mediat përhapin “vlera” dhe përpunojnë në njëfarë forme edhe mënyrën e jetesës së një shoqërie, e cila çdo ditë e më shumë po i beson këto mesazhe të mediave duke u përshtatur dhe duke e përbrendësuar këtë mënyrë jetese. Mjafton të futesh në rrjete sociale apo të hapësh televizionin dhe do të bombardohesh me lajme, video e analiza rreth “kafazit”, Big Brother, i cili si synim ka argëtimin e masës. Ajo çka është shqetësuese është fakti që nuk janë vetëm personat aty brenda, por është pikërisht masa e njerëzve jashtë saj që pa vetëdije po i nënshtrohen këtij kafazi. Skenat e personave brenda të ngujuar mes muresh e të lidhur nën pranga vë në dyshim nëse sot njeriu është me të vërtetë” i lirë”!.
Horkheimer dhe Adorno përmes konceptit të industrisë dhe kulturës shtjellojnë çështjen se sa të lirë janë me të vërtetë njerëzit dhe cilat janë ato forca që sot ndikojnë te individi, të cilat në njëfarë forme nuk e lënë atë që ta përdorë arsyen dhe mendjen.
Është pikërisht kultura masive ajo e cila po e privon njeriun nga përdorimi i arsyes duke krijuar një shoqëri të varur. Sot njerëzimi është zhveshur nga vlerësimi dhe arsyeja kritike duke qenë të varur dhe të pashkëputshëm ndaj mjeteve teknologjike. Pra pëlqen apo jo këtë lloj të programit televiziv realisht e ke të pamundur t’i ikësh, për shkak të trysnisë mediatike. E gjithë kjo në shoqërinë kapitaliste tentohet të përbrendësohet duke u thirrur nën “petkun” e argëtimit dhe duke krijuar masa të nënshtruara ndaj një kulture masive kapitaliste, e cila për qëllim ka përfitimin me çdo kusht.
Nisur nga fakti që njerëzit më lehtë e kuptojnë këtë lloj të kulturës sepse kërkon angazhim më të vogël, ata shëndrrohen në konsumatorë të përshtashëm për sistemin kapitalist.
Në këtë aspekt shoqëria e Big Brother-it, pavetëdijshëm po i nënshtrohet pushtetit mediatik i cili krijohet nga lartë dhe i cili është i lidhur me një kontekst më të gjerë. Mbikqyrja e kontrolli i personave brenda gjatë gjithë kohës jo vetëm që ka pasoja në humbjen e asaj më të shenjtës privatësisë së individit, por shpërfaq edhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit në shoqërinë moderne. Individët brenda Big Brother-it, i janë nënshtruar pushtetit të “Vëllait të madh” i cili me anë të mekanizmave të tij të kontrollit po i detyron ata të veprojnë në mënyra të caktuara, sipas preferencave dhe interesave të tij. por që fatkeqësisht, kjo po shëndrrohet në pushtet të teknologjisë për mbarë shoqërinë.
I gjithë ky skllevërim i individit brenda kësaj shtëpie ka për qëllim përfitimin material, e që vërteton se njeriu modern cdo ditë e më shumë po e humbë njerëzoren karshi materiales, duke u shëndrruar peng i parasë. Një platformë e tillë me vëzhgim 24-orësh jo vetëm që ndrydhë individin por edhe i vë njerëzit nën mëshirën e një sistemi që ka efekt çhumanizues, që në fakt është një reflektim shoqëror i kohës që po jetojmë. Epoka në të cilën po jetojmë po nxitë individët të bëhen gjithnjë e më shumë konkurrues, shfrytëzues, autoritarë, agresivë dhe individualist përmes platformave të tilla si Big Brother, i cili tashmë është i pranishëm në çdo nivel të shoqërisë.