Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Shoqata e Prokurorëve reagon ndaj publikimit të lajmit të rrejshëm për kinse vdekjen e prokurores Disha-Haxhosaj

Shoqata e Prokurorëve reagon ndaj publikimit të lajmit të rrejshëm për kinse vdekjen e prokurores Disha-Haxhosaj

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj publikimit të lajmit të rrejshëm se kinse ka humbur jetën tragjikisht prokurorja Valbona Disha Haxhosaj.

Shoqata e Prokurorëve ka shprehur indinjatën e thellë dhe shqetësimin lidhu me lajmin e rremë për prokuroren Disha-Haxhosaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit ka qarkulluar një lajm nëpër rrjetet sociale gjoja se ka humbur jetën tragjikisht prokurorja Valbona Dishaj Haxhosaj e cila punon në Prokurorinë Themelore në Pejë. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Kosovës është interesuar lidhur me lajmin e rrejshëm, është thellësisht e shqetësuar dhe njëherit bënë thirrje për të gjithë të përmbahen nga përdorimi i këtyre lajmeve të rrejshme”, thuhet në njoftim.

Shoqata e Prokurorëve u ka bërë thirrje organeve kompetente që ta hetojnë këtë rast dhe të dërgohen para përgjegjësisë autorët.

“Ne si Shoqatë jemi afër prokurores për t’i ofruar mbështetje dhe kurajo të pa rezervë në mënyrë që ta tejkaloj këtë situatë të rënduar për të dhe familjen e saj dhe njëherit ju bëjmë thirrje organeve kompetente konkretisht atyre të sigurisë dhe drejtësisë të hetojnë dhe sa më shpejt të zbardhin rastin dhe ti dërgojnë para përgjegjësisë ata të cilët qëndrojnë prapa këtij lajmi të rrejshëm”, thuhet më tej.

Më tej thuhet se Shoqata e Prokurorëve e dënon publikimin e këtij lajmi të rrejshëm.

“Shoqata e Prokurorëve dënon fuqishëm publikimin e këtij lajmi te rrejshëm dhe thekson se format e tilla të përdorimit të këtyre lajmeve të rrejshme që për synim kanë frikën dhe shantazhin janë të papranueshme dhe të drejtuara jo vetëm ndaj tendencës për frikësim të prokurores Valbona Dishaj Haxhosaj, por edhe ndaj autoritetit tërësor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Shoqata e Prokurorëve ka vlerësuar se mbrojtja e pavarësisë dhe e autoritetit të prokurorëve është thelbësore dhe tejet e rëndësishme, andaj lajmet e tilla të rrejshme janë të patolerueshme dhe në kundërshtim me rregullat në një shoqëri moderne dhe demokratike.

“Edhe një herë e potencojmë dhe sigurojmë gjithë opinionin publik se ne jemi këtu për zbatim të ligjit në mënyrë të drejt, të paanshme korrekte dhe mbi të gjitha profesionale në mënyrë që të krijojmë ambient të sigurt juridik për secilin qytetar të vendit andaj këto lajme të rrejshme nuk do e zmbrapsin punën e prokurores dhe të të gjithë prokurorëve të tjerë”, thuhet në fund.

Ndryshe, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka dënuar këtë akt, ndërsa ka kërkuar që të zbardhet rasti dhe autorët të vihen para përgjegjësisë.

Lidhur me rastin, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar prokuroren Disha-Haxhosaj, mirëpo e njëjta na udhëzoi që për këtë çështje t’i drejtohemi prokurorit të rastit dhe zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me prokurorin e rastit Dorjan Juniku mirëpo i njëjti nuk ka dhënë detaje, pasi tha se është në një gjykim.

Në anën tjetër, zëdhënësi Nikçi nuk dha detaje, por tha t’i referohemi komunikatës së KPK-së.

“Betimi për Drejtësi” merr vesh se dikush kishte shpërndarë afish me njoftim mortor për kinse vdekjen e prokurores, me datë të së dieles (3 mars 2024).

Themes by WordPress