Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shkrimi prekës i zëvendësministrit Gashani për motrën e vrarë nga forcat serbe në Abri të Epërme: Nuk ju harrojmë kurrë, nuk na lejon shkrumbi në buzët e fëmijëve të familjes Deliu

Shkrimi prekës i zëvendësministrit Gashani për motrën e vrarë nga forcat serbe në Abri të Epërme: Nuk ju harrojmë kurrë, nuk na lejon shkrumbi në buzët e fëmijëve të familjes Deliu

Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94-vjeç.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’iu shpëtuar sulmeve serbe. E një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe, e ku ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Në mesin e të vrarëve në këtë masakër nga forcat serbe është edhe Mihane Gashani Deliu, motra e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.

Më poshtë mund ta lexoni postimin prekës të zv.Gashani

Motër,

26 vjet kanë kaluar nga 26 shtatori 1998, por furtunat nuk kanë pushuar këndej.

Nuk ka pushuar as dhembja gërryese për ty, motër, për Valmirin, për Ademin, për krejt familjen e dashur Deliu.

As sytë tanë nuk kanë pushuar të derdhin lot për ju.

Nuk kemi harruar e as nuk kemi falur.

Nuk mund të harrojmë, sepse dhembja nuk njihka vite e dekada.

Nuk mund të falim, motër, sepse nuk na lejon cuclla e përgjakur e Valmirit.

Nuk mund të  harrojmë e as të falim sepse nuk na lejon ora që punonte ende në dorën e Jeton Deliut edhe kur shpirti i tij kishte fluturuar. 

Nuk mund të harrojmë e as të falim se nuk na lejon shkrumbi në buzët e fëmijëve të familjes Deliu dhe 1129 fëmijëve të vrarë brutalisht nga serbët. 

Motër, neve na u kanë shtuar thinjat në flokë e rrudhat në fytyrë, por kujtimi për ju është i freskët.

Nuk ju harrojmë!

Kurrë!

P.S. Më 26 shtator 1998, serbët vranë brutalisht 23 anëtarë të familjes së gjerë Deliu. Motra jonë e madhe, Mihane Gashani Deliu (1970), u vra aty bashkë me bashkëshortin e saj dhe djalin e tyre të vetëm, Valmirin, 2 vjeç.

Video më poshtë është fjala ime në promovimin e librit ‘Vjeshtë e ngrime’ (2017), që e kemi shkruar bashkë me motrën time, poeteshën Naxhije A Gashani dhe që ia kemi kushtuar motrës sonë, familjes Deliu dhe gjithë familjeve që kanë humbur njerëz të dashur gjatë luftës së fundit. /Telegrafi/