Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shkollat në Ferizaj furnizohen me vonesë me lëndë djegëse

Shkollat në Ferizaj furnizohen me vonesë me lëndë djegëse

Disa shkolla në Ferizaj janë detyruar të mbajnë orë të shkurtuara të mësimit, për shkak të ftohtit nga mungesa e lëndëve djegëse. E ndonëse tashmë u furnizuan, objektet akoma nuk janë ngrohur sa duhet.

Disa nxënës nuk po i heqin dorezat e as palltot në orët e mësimit.

Kjo pasi objekti i shkollës fillore të mesme të ulët ‘’Naim Frashëri’’ në Zaskok të Ferizajt ende nuk është ngrohur sa duhet.

E gjithë kjo si shkak i furnizimit të vonshëm me lëndë djegëse.

“Viteve të tjera furnizimi ka qenë çdo herë me kohë, me rregull. Drutë për ngrohje i kemi siguru qysh në muajin gusht apo shtator, mirëpo sivjet është pak një vonesë. Dje vetëm e kemi pasë furnizimin e parë, kemi pasë edhe pak rezerva nga viti i kaluar”, u shpreh Bekim Ndrecaj, drejtor i kësaj shkolle.

Por pavarësisht se hapësira në shkollë është goxha e madhe, ditët e mësimit janë mbajtur me rregull.

“Nuk kemi ngecë, nuk kemi pasë ditë të humbura të mësimit. Nuk kanë qenë temperaturat edhe aq, dy ditë kemi qenë në mëngjes minus edhe thashë prej ditës së djeshme jemi rregullu në këtë aspek”, thotë Ndrecaj.

Megjithatë ka pasur orë të shkurtuara mësimore në disa shkolla tjera në Komunën e Ferizajt.

“Kemi fillu furnizimin e shkollave që i kemi pasë diku shtatë shkolla që kanë pasur mungesë të lëndës djegëse, por me ditën e djeshme e kemi kaluar këtë proces. E mira është që nuk kemi pasë ndonjë mbyllje të shkollave për mungesë të lëndës djegëse, kemi pasë një shkollë apo dy shkurtim të orëve mësimore por që procesi mësimor nuk është ndërpre”thotë Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Shkolla ‘’Naim Frashëri’’ në Zaskok të Ferizajt është gati gjashtë mijë metër katror.

Powered by WordPress